Përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë kanë vizituar UKZ

Nëntor 20, 2019

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë qëndruar për një vizitë përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë,  Ray Nayler, Zëvendësdrejtor i Sektorit për Marrëdhënie me Publikun i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Remzije Potoku, Zyrtare për Arsim, Rina Musa, Zyrtare për Rini dhe Besim Kokollari, Zyrtar për Këndet Amerikane dhe Biblioteka, të cilët janë pritur nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve Xhevdet Thaqi si dhe zyrtarja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Luljete Berisha.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane janë interesuar rreth aktiviteteve,  sukseseve, si dhe sfidat me të cilat përballet universiteti.

Prorektori Leka i ka njoftuar përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane rreth zhvillimeve në Universitet, aktiviteteve, si dhe bashkëpunimeve e projekteve të ndryshme.

Po ashtu gjatë takimit është biseduar edhe rreth procesit të  akreditimit institucional, përgatitjes së programeve të reja dhe me fokus te veçantë u diskutua për përjashtimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA, si dhe  problemet që mund të  ndikojnë në ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve kosovarë në sistemin evropian të arsimit të lartë.

Ndër tjerash, Prorektori Dukagjin Leka ka thanë se  profilizimi i Universitetit nuk mund të ndodh brenda ditës, por është proces që merr kohë dhe që duhet të kalohet nëpër hapa të caktuar, andaj siç tha Prorektori Leka, Universiteti “Kadri Zeka” është i interesuar që të orientohet në drejtime inovative – interdiciplinare.

Gjatë takimit drejtues të UKZ-së kanë kërkuar nga Ambasada Amerikane që të ndihmoj në procesin e zhvillimit dhe ngritjes se kapaciteteve të UKZ –së.

Përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, kanë vizituar edhe Bibliotekën e Universitetit si dhe ambientet tjera, për të parë nga afër kushtet fizike ku mbahet procesit mësimor, ku kanë takuar edhe studentë me të cilët kanë bashkëbiseduar për mundësit që UKZ u jep për të studiuar.

Ata janë ndarë të kënaqur me sukseset dhe të arriturat e Universitetit “Kadri Zeka”.