“Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”në përvjetorin e 34-t të rënies së heroit Kadri Zeka

18 Janar, 2016

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në kuadër të programit “Guest Speaker”, mysafir i radhës ka qenë, veprimtari i çështjes shqiptare z. Hydajet Hyseni. Ai fillimisht është pritur nga rektori i Universitetit, Bajram Kosumi dhe drejtues tjerë të Universitetit, për të vazhduar më pas me ligjëratën me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”, mbajtur para intelektualëve gjilanas, studentëve dhe mysafirëve të tjerë. Ky organizim mbahet me rastin e 34 vjetorit të rënies heroike (17 Janar 1982) të  Kadri Zekës e që ndërlidhet me manifestimet e “Flakës së Janarit 2016”. Me këtë rast Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi i cili ishte protagonist i Lëvizjes Studentore, Pranvera ’81, ka thënë se ajo periudhë ishte shprehje shpërthyese e pakënaqësisë rinore dhe gjithë popullore me gjendjen e përgjithshme të rëndë, të pabarabartë dhe në aspekte të caktuara edhe në keqësim të mëtejshëm të rinisë dhe shqiptarëve si tërësi, në Kosovë dhe në viset e tjera të robëruara shqiptare në ish-Jugosllavi. Pranvera e vitit “81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme çlirimtare kombëtare e demokratike, njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me ushtritë tona çlirimtare dhe luftën fitimtare që, pos të tjerash, ia siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veriatlantike si dhe fitoren e historike, ka thënë në fjalën e tij rektori Kosumi. Ndërkaq e ka nderuar me mirënjohje veprimtarin Hydajet Hyseni – Kaloshi, për sakrificën e madhe në lëvizjen për liri.

Ligjëratën e tij veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare z. Hydajet Hysenin me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives”, mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan me rastin e 34 vjetorit të rënies heroike (17 Janar 1982) të  Kadri Zekës, e ka nisur me thënien: “Historia është mësuese e jetës, “magistrae vitae”. Veprimtari Hyseni ka thënë se mësuesja mund të jetë e mirë dhe do të duhej të ishte e mirë, por jo gjithmonë është e tillë. Mësuese e mirë e jetës mund të jetë vetëm historia e vërtetë, historia e shkruar drejt. Në Ligjëratën e tij veprimtari Hyseni ka thënë se në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj. Ai ka thënë se gufimi pranveror i Lëvizjes ’81 mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm tok me nëntorin pranveror të vitit ’68 dhe dhjetëvjeçarët e frymëzimit të mëparshëm që i paraprinë Pranverës Shqiptare ’81. Veprimtari Hydajet Hyseni, ka shtuar se përvjetori i 35-t i pranverës “81 do të thotë ndryshe 35 vjet mbajtje e ruajtje me mund e gjak e sakrifica të shumta të flakës së pashuar të lirisë. 35 vjet frymëzim, por edhe fryte e të arritura të dukshme e të prekshme që gëzojmë sot gjithandej. 35 vjet reflektim për rrugën e kaluar dhe shtigjet e së ardhmes së gjakuar dhe çuditërisht 35 vjet përballje me një luftë të egër speciale për të shtrembëruar e deformuar të vërtetën e mirënjohur historike për këtë faqe të lavdishme të së kaluarës sonë.

Edhe sot, si 35 vjet më parë, Kosovës dhe çështjes shqiptare gjithandej i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojmë ballëhapur para dëshmorëve të atdheut. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës ‘81 të mos na gjejnë me zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me sfilitje sociale. Tani 35 pranvera më vonë, arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat,  ka thënë mes tjerash në ligjëratën e tij me temën: “Pranvera’81 midis retrospektivës dhe prospektives” veprimtari Hydajet Hyseni. Ndërkohë që pas përfundimit të ligjëratës iu është përgjigjur interesimeve të mysafirëve rreth çështjeve të ndryshme.

Kurse Mehmet Zylfiu, Kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin “Kadri Zeka”, në emër të të rinjve i ka dhuruar veprimtarit Hydajet Hyseni portretin e veprimtarit të shquar të cështjes Kombëtare, Adem Demaçit, të cilën e ka punuar profesori i artit Ahmet Ibrahimi.

DSC_0202  DSC_0204  DSC_0221  DSC_0228