Reagim ndaj një artikulli në www.kallxo.com

E nderuar Redaksi e www.kallxo.com,

duke pasur konsideratë për punën tuaj të gjatë dhe njohjen personale me disa prej juve, po ju shkruaj publikisht dhe personalisht, si reagimin në lidhje me artikullin “Universiteti i Gjilanit shpenzoi 13 mijë euro për udhëtime jashtë vendit”, të datës 26 mars 2018, të gazetares Arbisa Shefkiu.

Pasi e lexova artikullin, jo vetëm me vëmendjen e qytetarit e të rektorit të UKZ, por edhe të profesorit dhjetëvjeçar të disa qindra studentëve të gazetarisë, porosia ime dhe lutja ime për Redaksinë dhe gazetaren Arbisa është: eja dhe regjistrohu në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, fillo dhe kryej studimet në gazetari, perfeksionohu në shkrimin e teksteve gazetare. Ju lutem bëjeni këtë, për të mirën tuaj, për të mirën e medieve tuaja dhe të audiencës!

Ju lutem bëjeni, sepse kur të thelloheni qoftë edhe pak në studimin e komunikimit e të ideologjisë së tekstit gazetar, do ta shihni edhe vetë, ashtu si e sheh çdo student yni, se konstruktet gjuhësore në tekstin tuaj si: “vetëm gjatë vitit 2018 stafi i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” kanë bërë 13 udhëtime në vende të ndryshme, që i kanë kushtuar shtetit 13 mijë e 803 euro.”, “destinacioni i radhës…”; “prorektori Leka megjithatë në një udhëtim e kishte “tradhtuar” rektorin Kosumi…” etj., nuk janëfare raportim, aq më pak neutral e i balancuar. Secili student yni e di se kur ju thoni “vetëm gjatë vitit 2018”, nuk po informoni por po komentoni dhe po propagandoni, dhe se nënteksti i këtij konstrukti është ideologjik. Ju vetëm nuk e keni shtuar edhe fjalinë pasuese: shih sa shumë kanë harxhuar “kuletën e shtetit” këta profesorët e pangopshëm! Komentete gazetarit në lajm, David Randall, gazetari i famshëm anglez, i quan “pandershmëri gjuhësore”, ndërsa unë i shtoj edhe: qesharake, të mjera dhe të paditura. Si reportere nuk duhet të kamufloni ideologji brenda raportit tuaj. Nëse doni të tregoni qëndrimet tuaja politike ndaj UKZ, ju lutem shkruani një a më shumë editorialë apo edhe ndonjë koment, në të cilët ju mund të pozicionoheni dhe të shfaqni opinionet tuaja.

Pse them “të paditur”?

Së pari, sepse gazetarja nuk e ka marrë mundin të shikojë qoftë edhe një universitet tjetër në Kosovë, në rajon dhe në botë(e ka për detyrë sa po të shkruajë për këtë temë!) se sa buxhet ndanë për ndërkombëtarizim. Ajo nuk e ka marrë mundin të thellohet vetëm pak dhe të shohë se universitetet sot janë më globale se çdo institucion tjetër, dhe se Komisioni Europian ndanë qindra miliarda euro në ndërkombëtarizimin e gjithë universiteteve të botës, dhe se universiteti që nuk krijon lidhje, komunikim, projekte të përbashkëta, mobilitet etj., me të vërtetë nuk është universitet por shkollë e lartë. Në vend se gazetarja ta ngritë si temëpyetjen pse kaq pak buxhet ndahet dhe shpenzohet për ndërkombëtarizim, ajo bën të kundërtën.

Së dyti, sepse disa nga këto vizita te universitetet jashtë Kosovës (e jo “destinacioni i radhës” e nderuar gazetare, sepse nuk është turizëm e aventurë!), si ai në Vjenë, në Podgoricë, në Sofje dhe njëri prej vizitave në Turqi janë në kuadër të projekteve ndërkombëtare, të financuar pjesërisht ose plotësisht nga projekte ndërkombëtare. Duhet lavdëruar nismat e para të UKZ, si universitet i ri, që kemi arritur të jemi pjesë e pesë projekteve Erasmus+, dy projekteve të tjera ndërkombëtare HERAS, vjet jemi ranguar në pozitën B (pozitë relativisht e favorshme) me një projekt të aplikuar nga UKZ, tëcilin e ka koordinuar UKZ me pjesëmarrjen e 17 universiteteve ndërkombëtare, regjionale e vendore në kuadër të Erasmus+, dhe se në thirrjen e fundit në vitin 2019 kemi aplikuar si koordinator e bashkë-koordinator në tri projekte Erasmus+ dhe në rreth 10projekte të tjera si partner. Mund të shtoj edhe një projekt të ri me Universitetin e Upsalas në Suedi për Integritetin Akademik, e për më tepër edhe një projekt si partner në Horizon 2020

E nderuar, nëse keni dilema hulumtoni pak më shumë se çka është një projekt Erasmus+ dheçka do të thotë të aplikosh me një projekt të tillë si koordinator dhe sa janë vlerat financiare të këtyre projekteve.

Së treti, gazetarja shtrembëron edhe informatat dhe dokumentet që ju kanë dërguar nga vetë universiteti “Kadri Zeka”, duke përdor edhe emra, të cilët në asnjë rrethanë nuk kanë qenë pjesë e këtyre vizitave dhe as nuk figurojnë si emra në përgjigjet tona.

Sa u përket mëditjeve, biletave dhe çështje të ngjashme, ato janë të rregulluara me dispozita ligjore dhe gjithçka është brenda atyre dispozitave.

E nderuar gazetare, sigurisht që kam edhe shumë gjëra të tjera t’ua them, por nuk po them asgjë më shumë, me shpresën se do të kthjelleni nga ky dekonstruktim sipërfaqësor i gjuhës suaj ideologjike.

Nuk po shtoj asgjë më shumë, sepse besoj e keni kuptuar se sa puna e mirë është bërë dhe bëhet në UKZ në ndërkombëtarizim, dhe se falë këtij aktiviteti studentët tanë po tregojnë sukses edhe në universitete ndërkombëtare, duke fituar bursa të plota.

Nuk po shtoj asgjë më shumë, me shpresën se keni mirëkuptuar se deri sa bëni punën e gazetarit, duhet t’i njihni të gjitha artet e të bërit gazetari në shërbim të publikut, dhe se do të regjistroheni në Departamentin e Gazetarisë të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, aty ku edhe unë mbaj ligjërata, dhe do të thelloheni më shumë në mjeshtërinë e mrekullueshme të të bërit gazetari në interes të publikut.

Me respekt,

Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

Redaksise Kallxo com