Rektorët e Universiteteve Publike kanë mbajtur takim virtual me drejtuesit e AKA dhe KSHC

Prill 26, 2020

Me 24 prill 2020 është mbajtur një takim virtual midis Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës dhe Agjencisë së Akreditimit të Kosovës. Në takim morën pjesë , Prof. Asoc.Dr. Bajram Kosumi, Rektor i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’, rektorët e Universiteteve tjera publike, Prof. Dr. Fadil Millaku, kryesues i Konfencës së Rektorëve, Prof. Dr Marjan Demaj, Prof. Dr. Ismet Temaj, Prof. Dr. Alush Musaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prof. Ass. Artan Nimani, si dhe Kryesuesi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë Prof. dr. Gazmend Luboteni dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim z. Naim Gashi. Në takim u diskutua për procesin e akreditimit të IAL-të në kushte të Pandemisë me Covid 19.

I gjithë takimi u zhvillua në frymën e rritjes së bashkëpunimit midis Universiteteve publike, KSHC-së dhe AKA-së. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi u pajtuan së bashkëpunimi i mirë dhe korrekt midis AKA-së, KSHC-së dhe Universiteteve Publike është në interes të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë dhe në përgjithësi avancimit të arsimit në vendin tonë.

Gazmend Luboteni si kryesues i KSHC-së dhe  Naim Gashi drejtor i AKA-së njoftuan Rektorët lidhur me aktivitetet që ka ndërmarrë KSHC-së dhe AKA në situatën e imponuar për shkak të pandemisë Covid 19, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të akreditimit, i cili mund të bëhet edhe në distancë, përmes platformave onlajn.

Rektorët e universiteteve publike njoftuan  krzesuesin Luboteni dhe drejtorin Gashi lidhur me përgatitjet e këtyre institucioneve për procesin e akreditimit dhe vlerësimit që do të bëhet nga ekspertet ndërkombëtar dhe AKA. Të gjithë u pajtuan për organizimin e një procesi të plotë dhe korrekt të akreditimit të këtij viti.

Po ashtu gjatë këtij takimi onlajn, pjesëmarrësit u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet të gjitha institucioneve të arsimit të lartë e krijon klimë të favorshme për cilësinë në arsim. Në takim u tha se vazhdimi i procesit mësimor në formatin onlajn në të gjitha universitetet publike dëshmon se këto universitete kanë potencial dhe cilësi në procesin e mësimit dhe të hulumtimit.

Po ashtu, u diskutua së të gjithë duhet të angazhohen që të ngritët imazhi i Institucioneve të Arsimit të Lartë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mënyrë që  AKA të rikthehet në institucionet Evropiane për sigurimin e cilësisë, në ENQA dhe EQAR.