Rektorët e Universiteteve Publike takohen me Anëtarët e Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës

Maj 26, 2020

Rektorët e universiteteve publike kanë mbajtur të martën një takim me Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për Akreditimi dhe ecurinë e mësimit online. Rektorët kanë folur edhe për sfidat me të cilat përballen universitetet publike, cilësinë e arsimit, përgatitjet për akreditimin e programeve dhe akreditimin institucional. Gjithashtu gjatë këtij takimi, Rektorët janë ankuar për mosmiratimin e statuteve të këtyre universiteteve dhe vështirësitë financiare, që çojnë edhe në mungesë të stafit.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka thënë se ekziston një bashkëpunim i mirë ndërmjet Universiteteve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit. Mirëpo, sipas tij, largimi nga ENQA nuk ka qenë goditje vetëm për Agjencinë por për të gjitha universitetet.

“Çështja e parë është se ka një frymë të re bashkëpunimit ndërmjet Universiteteve dhe Këshillit të Akreditimit dhe cilësisë, gjë që nuk ka ekzistuar më herët. Madje,  Këshilli i ka parë universitetet si pikë kyçe për t’i goditur. Ne e kemi përvojën dhe jemi nxitës të bashkëpunimit me Këshillin e Akreditimit dhe MASHTI-t. Goditja që ka marrë largimin nga ENQA nuk është goditje vetëm  për të por, për të gjithë universitetet dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë që ta ndihmojmë të jetë pjesë sërish në ENQA dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Unë besoj se mënyra që është sjellë agjencia e akreditimit me universitetet ka qenë e ndikuar nga partitë politike. Është thënë hapur që me i godit universitetet e reja.  Që gjashtë vite punojmë me Statut të përkohshëm dhe këto fjalë që po i flasim këtu, kemi folur edhe me ish-ministrin para tri vitesh, dërgojë në Kuvend statutin e ri, por nuk e ka dërguar”, ka thënë Rektori Kosumi.

Ndërsa Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka thënë se për ndërtimin e një shteti funksional, arsimi është shtylla kryesore. Dema tha se kanë ndërtuar shumë mekanizma për rritjen e cilësisë në arsimin universitar. Ndër sfidat kryesore të UP-së Dema përmendi ndërhyrjet politike.

Kurse, Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejës, ka thënë se që 3 vite universitetet më të mëdha pas UP-së, nuk kanë pasur akreditim, për shkak se manuali nuk u ka shkuar me kohë. Ai ka thënë se nëse duan cilësi në arsim duhet ta rrisin buxhetin.

Ndërsa, rektori i Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musa, ka folur për nevojën e një statuti të përhershëm për universitetet.

Agron Bajraktari Rektor i Universitetit të  Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ka thënë se ndër sfidat kryesore të Universiteteve janë financat dhe mungesa e stafit.

Në takim rektorët vlerësuan qasjen korrekte të Agjencisë së Akreditimit, e cila  ka munguar më herët.