Rektorët e universiteteve publike u pritën në takim nga Kryeministri Hoti

19 Qershor, 2020

Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës, janë pritur në një takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ku është biseduar për zhvillimet në arsimin universitar në vend.

Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, njëherësh kryesuesi i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, pasi ka falënderuar kryeministrin Hoti për qasjen ndaj politikave të arsimit të lartë, ka thënë se gjatë këtij takimi u bisedua për politikat kryesore të Qeverisë në arsimin e lartë dhe se kjo është një qasje shumë pozitive që të flitet me përgjegjësit kryesorë për arsimin e lartë, që janë universitetet publike dhe rektorët e këtyre universiteteve.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se i ka njoftuar rektorët me programin qeverisës për fushën e arsimit dhe kanë evidentuar në detaje, bashkë me zëvendëskryeministrin dhe anëtarët e kabinetit, disa nga prioritetet më urgjente që kanë këto universitet.

Kryeministri ka thënë se bashkë me rektorët janë dakorduar për takimet të rregullta sa u përket prioriteteve, duke filluar nga ndryshimet e nevojshme ligjore që duhet të ndodhin në arsimin e lartë për t’u përgatitur këto institucione për nevojat e tregut të punës në Kosovë dhe më gjerë.

Po ashtu, kryeministri Hoti ka thënë se do t’i ndihmojmë të gjitha universitetet që të plotësojnë kushtet sa i përket kërkesave që ka Agjencia për Akreditim e Kosovës dhe gjithashtu janë dakorduar për disa veprime të menjëhershme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë publik sa i përket miratimit të statuteve në Kuvendin e Kosovës të universiteteve, në mënyrë që këto universitete të kenë mundësi të rrisin pavarësinë dhe autonominë e tyre nga Ministria e Arsimit, përfshirë edhe pavarësinë financiare duke filluar nga 1 janari i viti 2021. Ai ka falënderuar rektorët për prezencën dhe mirëkuptimin që të ulen bashkë dhe të punojnë në disa grupe punese për ndryshimet ligjore dhe për planin gjithëpërfshirës për profilizimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, duke folur për takimin me kryeministrin Hoti ka thënë se kjo ishte një nismë që vërtet ka munguar, që të kenë takime me kryeministrin.