Rektorët Universiteteve Publike janë takuar me Ministren e MAShTI

30 Qershor, 2021

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka marrë pjesë në një takim me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka pritur rektorët e universiteteve publike.

Në këtë takim është biseduar për gjendjen në arsimin e lartë, ku Ministrja Nagavci është shprehur se  miratimi i Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe infrastrukturës përcjellëse është një nga prioritetet e Qeverisë.

Gjithashtu në takim është folur edhe për nevojën e përmirësimit të infrastrukturës, në mënyrë që të ketë shërbime më të mira për studentët, e po ashtu u potencua domosdoshmëria e koordinimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë për ngritjen e cilësisë në arsim.

Një çështje tejet me rëndësi që u shtrua në takim ishte edhe rishikimi i sistemit të financimit dhe profilizmi i universiteteve publike. Ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar më udhëheqësit e këtyre institucioneve në kërkesat e tyre si: krijimi i mundësisë unike për qasje në literaturë, funksionalizmi i sistemit antiplagjiaturë, krijimi i rrjetit bibliotekar dhe çështje të tjera.

Ndërsa zëvendësministri Dukagjin Pupovci, prezantoi programin qeverisës që ndërlidhet me arsimin e lartë dhe me punën kërkimore-hulumtuese dhe inovacionin.