Rektori Kosumi: “Ka shembuj që më bëjnë krenar në arsimin e lartë, ashtu si ka shembuj që më dëshpërojnë!”

22 Mars, 2018

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, prof. asoc. Dr. Bajram Kosumi, duke marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për arsimin në Kosovë, theksoi se ka shembuj të mirë dhe të këqij në arsimin e lartë në Kosovë. “Shumë herë jam ndjerë krenar me studentët dhe profesorët. Shumë herë ata më kanë bërë të lumtur që punoj me ta. Por shumë herë jam ndjerë i dëshpëruar dhe i turpëruar me atë çka ndodhë në arsim.”

Më pas, duke folur për ndryshimet në arsimin e Kosovës, rektori Kosumi theksoi:

“Ne duhet ta ndryshojmë arsimin, por ndryshimet kërkojnë investim të madh, mund e përkushtim, me kusht që rezultati të mos kërkohet menjëherë. Kjo do të thotë që një qeveri duhet të investojë shumë, ndërsa rezultatet priten më vonë.

Janë tre faktorë vendimtarë të cilët do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së arsimit:

  1. Ngritja e infrastrukturës: edhe pse është bërë mjaft, nuk mund të pritet cilësi nga klasa fillore me 30-35 nxënës, apo nga profesori universitar, i cili ka mesatarisht 500 studentë, të cilët brenda një viti i pranon pesë herë në provim etj. Nuk mund të pritet cilësi pa laboratorë e pa botime tekstesh universitare;
  2. Menaxhimi i arsimit: në arsimin e Kosovës nuk ka menaxhim të duhur, sepse mungon kontrolli dhe llogaridhënia. Sa e sa trajnimi është mbajtur pas luftës për arsimtarët dhe, pothuajse shumica kanë shkuar huq, sepse askush nuk e ka pyetur arsimtarin se cilat janë kompetencat e fituara nga trajnimi, nuk janë ranguar dhe nuk janë paguar sipas atyre kompetencave. Të gjithë janë trajtuar njësoj, si ata me kompetenca të shtuara edhe ata pa kompetenca;
  3. Filozofia e marrjes së dijes: në sistemin tonë arsimor ende vazhdohet me filozofinë e vjetër të arsimimit, në të gjitha nivelet arsimore, e që është mësimi në formën e memorizimit të fakteve. Kjo ka bërë që nxënësit e studentët tanë të mësojnë përmendësh informacione. Është koha të kalohet në filozofinë e mendimit kritik, që marrësi i dijes ta mësojë atë duke menduar kreativisht në mënyrë kritike. Ky dallim, “memorizim” dhe “mendim kritik” është dallim i madh, sikur dallimi Kosovë-Bashkim Europian.”