Rektori Kosumi: Universiteti është bërthama e zhvillimit ekonomik

29 Korrik, 2022

Në panairin dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’ Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka marrë pjesë në panelin diskutues rreth potencialit dhe mundësisë së investimeve në komunën tonë. Në këtë organizim, Rektori ka thënë se ky panair është një mundësi e mirë që të njihet se kah po shkon tregu i punës. Rektori ka thënë se Gjilani është kryeqendra e Anamoravës dhe një vend që përreth ka Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, ku gravitojnë shqiptarët nga të gjitha trojet, andaj bizneset duhet ta trajtojnë edhe si një zonë ekonomike Gjilanin.

Rektori Kosumi ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk mund të jetë i mirë pa pas edhe një universitet, sepse ai është bërthama e gjithçka që zhvillohet ekonomia. Ai ka shtuar se letërnjoftim i një qyteti është kur i thua dikujt që Gjilani është qytet Universitar.

Në diskutimin e tij, Rektori ka thënë se universiteti krijon kuadro për tregun e punës, por universitetet prodhojnë edhe shkencëtar, dijetar, e ne si UKZ i përshtatemi tregut të punës.

Rektori ka sugjeruar që të krijohet një urë mes Universitetit dhe bizneseve, për të bërë kontratë me studentët. Ai po ashtu ka porositur bizneset që të bashkohen dhe të punojnë e prodhojnë nga burimet vendore, por edhe Institucionet sikurse ato lokale po ashtu edhe qendrore duhet të ju ofrojnë mundësi bashkatdhetarëve, që të vijnë e të investojnë këtu në vendin e tyre Kosovë.