Shfrytëzimi i kohës në mënyrë kreative është menaxhmi më i mirë psikologjik

Prill 25, 2020

Gjendja e krijuar nga COVID-19, natyrshëm shoqërohet me emocione apo gjendje psikologjike jo pozitive. Andaj, Parlamenti Studentor i UKZ-së, këtë herë për studentët ka organizuar një ligjëratë online, përmes së cilës psikologu Fitim Uka, ka folur rreth  ‘’Shëndeti mendor në kohën e pandemisë’’.

Kryetarja e Parlamentit të studentëve Elitë Bardhi, shprehet se synimi i tyre është të shpërndajmë mesazhin pozitiv dhe të kërkojmë vetëdije që studentët tonë të vazhdojnë të kujdesen për veten dhe familjet e tyre, ndaj virusit COVID -19.

Ndërkohë psikologu Fitim Uka, ka thënë se, qëndrimi i  gjatë në shtëpi, vetëizolimi apo karantina e  detyruar, mund të shoqërohet me gjendje psikologjike jo pozitive, andaj sipas tij,  një menaxhim individual kërkohet nga të gjithë ne dhe se është e rëndësishme, që t’u kushtohet vëmendje edhe aspekteve psikologjike.

Psikologu Uka thotë se, shfrytëzimi i kohës në mënyrë kreative,  duke u angazhuar në komunikim, lojra, duke lexuar libra, duke shikuar filma, etj., mund të jetë një mënyrë e mirë për të menaxhuar këtë situatë në këtë kohë të pandemisë.

Gjatë kësaj ligjërate që u mbajt live përmes platformës Google Meet, ishin pjesëmarrës rreth 250 studentë.

Ata u ndanë të kënaqur me ligjëratën në fjalë, dhe ishte mjaft interesante, e cila njëherësh  zgjoi interesimin e tyre,  ku nga pyetjet e parashtruara ndaj psikologut Fitim Uka, ata morën përgjigjet e kërkuara.

PS thotë se, jemi në përpjekje të vazhdueshme të qëndrojmë afër virtualisht studentëve tonë, ashtu siç kemi qenë fizikisht, çdoherë kur ishte nevoja.