Shikohen mundësitë e bashkëpunimit mes UKZ-së dhe Caritasit Zviceran

3 Tetor, 2018

Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Januz Dërvodeli, drejtoresha e Zyrës për Shkencë, Zhvillim Akademik dhe Cilësi Fitore Malaj  si dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë Luljete Berisha, kanë pritur në një takim Krenare Lleshi, Projekt Menaxhere e Caritasit Zviceran.

Gjatë këtij takimi është biseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit rreth një projekti  të ri të Karitasit Zviceran,  i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë dhe ofrimin e shërbimeve në sektorin e arsimit parafillor, projekt ky që do të realizohet në partneritet me MASHT, Institutin Pedagogjik të Kosovës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Meqenëse një ndër objektivat e projektit ndërlidhet me Fakultetet e Edukimit në Kosovë, gjegjësisht për programet parafillore të ofruara në kuadër të Fakultetit të Edukimit,  të dyja palët kanë diskutuar rreth projektit, si dhe për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit me Fakultetin e Edukimit në Gjilan me qëllim të përfitimit të Fakultetit të Edukimit nga ky projekt.