Spanja pengon Universitetin “Kadri Zeka” të marrë pjesë në projektin Erasmus Mundus të BE-së

3 Tetor, 2014

Ambasada e Spanjës në Shkup ka refuzuar kërkesën për vizë të u.d. rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, për të marrë pjesë në një aktivitet të projektit  të Komisionit Evropian, Erasmus Mundus, për vendet e Ballkanit Perëndimor(Erasmus Mundus GreenTech Western Balkans), në Universitetin e Vigos në Spanjë, më 27 dhe 28 tetor. Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është partnerë  me të drejta të plota në programin Erasmus Mundus GreenTech Western Balkans, dhe ka ftesë zyrtare që përfaqësuesi i tij të merr pjesë në këtë aktivitet.

U.d. Rektori, Prof. Dr. Arben Dërmaku, tha se “refuzimi i kërkesës për vizë nga ana e Spanjës, do ta dëmtoj shumë Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, në pjesëmarrjen në programe të rëndësishme të Komisionit Evropian, siç është projekti Erasmus Mundus, që i dedikohet zhvillimit të universiteteve të Ballkanit Perëndimor.  Aq më tepër, ky refuzim është shumë i padrejtë, kur Universiteti “Kadri Zeka” është anëtar me të drejta të plota i këtij programi”, tha u.d. rektori Dërmaku, duke kërkuar nga Spanja që të ndryshoj qëndrim.

Universiteti “Kadri Zeka” shpreson se do të ketë një reflektim pozitiv nga ana e autoriteteve spanjolle,  si dhe në angazhimin e zyrtarëve të  Universitetit të Vigos  dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilat janë njoftuar me rastin.