Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike kanë realizuar projekte praktike në PhP & MySQL të avancuar

24 Shkurt, 2021

Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të lëndës PROJEKTI SEW kanë realizuar projekte praktike në PhP & MySQL  të avancuar. Tre projektet janë realizuar nga studentët e vitit të tretë nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Lindita Nebiu Hyseni.

Projekti i uebaplikacionit “GJEJE NJË ZHVILLUES PËR PROJEKT” (UGZP)  është  realizuar nga studentët Donat Dalipi e Blend Kurti.

Qëllimi i këtij projekti  është që të ndihmojë kërkuesit e ndryshëm që të gjejnë zhvillues për t’i plotësuar kërkesat e tyre në zhvillimin e aplikacioneve të ndryshme. Gjithashtu është e mundur që zhvilluesit të regjistrohen në uebaplikacion duke bërë kërkesë tek administratorët. Pas regjistrimit dhe aprovimit, zhvilluesit mund të kyçen në uebaplikacion. Pas kyçjes zhvilluesit mund të menaxhojnë profilin e tyre, të shtojnë projekte të ndryshme, të shtojnë profilizime(p.sh Zhvillues i Uebit, IOS, Blockchain). Përmes email-it të cilin e ka në profil zhvilluesi mund të kontaktohet nga kërkuesit. Kërkuesit mund të shohin dhe kërkojnë zhvillues sipas emrave të tyre apo profilizimeve. Pas kërkimit të zhvilluesve është e mundur shikimi i profilit. Në profilin e një zhvilluesi gjenden të dhënat personale, profilizimet, mënyra e kontaktimit dhe pjesëmarrja në projekte. Gjithashtu uebaplikacioni ka pjesën e administratorit ku mund të bëhet menaxhimi i të dhënave te projektit.

Projekti i uebaplikacionit “TURIZMI NË KOSOVË” (UTK) është punuar nga studentët Uranik Sejdiu, Ermal Konjufca dhe Gjon Sinani.

Qëllimi i projektit është që të shërbej si një udhëzues turistik për çdo turist që dëshiron ta vizitoj Kosovën. Përdoruesi i uebaplikacionit “Turizmi në Kosovë” do ta ketë  më të lehtë zgjedhjen e tij se cilat  vende ti vizitoj apo dhe në cilat evente të shkoj. Me anë të uebaplikacionit përdoruesi mund edhe të sygjeroj pikën turistike që nuk gjendet në uebpalikacion.

Projekti i uebaplikacionit “BIÇIKLETA PËR HUAZIM” (UBH) është punuar nga studentët: Altina Bejtullahu dhe Dion Islami.

Qëllimi i krijimit të uebaplikacionit “Biçikleta për Huazim” është të lehtësoj huazimin e biçikletave online. Në ballinën e klientit, shfaqen biçikletat të cilat janë të lira për huazim, një përshkrim për secilën biçikletë dhe çmimi i caktuar për një ditë. Gjithashtu klientët mund edhe të kontaktojnë me administratorin ne meny “Kontakto”, për çdo parregullsi ose gjatë huazimit ose diçka tjetër. Në modulin e kompanisë menaxhohen të gjitha të dhënat që janë në modulin e klientit. Gjithashtu ky uebalikacion është i mundshëm të përdoret edhe në sistemet telefonike.