Studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike vizituan Qendrën Kosovare të Inovacionit

13 Qershor, 2022

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ) dhe Qendrës Kosovare të Inovacionit (ICK), një grup studentësh nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, bashkë me dekanin e Fakulteti Ekonomik, Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi dhe kryetaren e Parlamentit Studentor, Sara Keqmezi,  kanë vizituar ICK.

Nga zyrtarët e Qendrës së Inovacionit studentët u informuan për sukseset e deritashme të ICK-së dhe punën që bëhet aty. Drilon Balaj dhe Dren Sopi nga ICK, i njoftuan studentët në detaje për mundësitë që ofrohen për ta, në zhvillimin e ideve inovative që mund të kenë dhe  kushtet që i ofron qendra. Studentët gjatë kësaj vizite, po ashtu mësuan rreth ndjekjes së trajnimeve profesionale, për shfrytëzimin e hapësirave të ICK për zyre në kuadër të programit Co-working, për projektin e inkubatorit për mbështetjen e fillimit të bizneseve inovative të njohur si Startup dhe programe të tjera nga fusha e inovacionit në biznes dhe teknologjinë informative.

Studentët u ndanë të kënaqur me mundësitë e krijuara për ta në kuadër të këtij bashkëpunimi duke u shprehur se kjo do të jetë një motiv shtesë në angazhimet e tyre për tu përgatitur për tregun e punës.