Studentët e FSHK-së së UKZ-së mund ta ndihmojnë Komunën e Gjilanit në fushën e teknologjisë, veçanërisht në strategjinë “Smart City”

17 Dhjetor, 2022

Në universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka qëndruar për një vizitë Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni. Ai është pritur në një takim nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Sekretari i Përgjithshëm Dr. Sc. Vaxhid Sadriu dhe stafi akademik i FSHK-së së UKZ-së.

Në këtë takim, Dekani Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku,  e informoi Kryetarin Alban Hyseni për të arriturat e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, programet e akredituara që ka Fakulteti, por edhe për sfidat që këtë fakultet e përcjellin në vazhdimësi. Më pas kryetari Hyseni ka vizituar disa nga sallat, kabinetet si dhe laboratorët në të cilat zhvillohet procesi mësimor, ku ka parë nevojën urgjente për pajisjen me laboratorë dhe Infrastrukturë të përshtatshme për të mbajtur normal ligjëratat dhe ushtrimet, e të cilat më së miri do të mund të krijoheshin brenda një kampusi të ri Universitar.

Dekani Dërmaku po ashtu e ka njoftuar Kryetarin Hyseni për stafin akademik dhe kualitetin e jashtëzakonshëm që studentët e FSHK-së e posedojnë, duke thënë se,  këta studentë po tregojnë  suksese të shkëlqyera në studime  brenda dhe jashtë Kosovës, andaj rezultatet e tyre në mësim, punë e përkushtim po i transmetojnë nëpër kompani të ndryshme të IT-së në vend, kompani rajonale dhe ndërkombëtare.

Më pas studentët e Shkencave Kompjuterike prezantuan punimet e tyre praktike të avancuara, me të cilat dëshmuan edhe një herë angazhimin dhe metodat unike me të cilat punohet në këtë fakultet, me kurrikulë të bazuar në modelet më të mira evropiane. Studentët e FSHK-së kanë prezantuar para kryetarit Alban Hyseni praktikisht shumë projekte që ata kanë inplementuar brenda Fakultetit, duke treguar kështu për profesionalizmin që i veçon studentët e FSHK-së për ide inovative. Dekani Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe studentët e FSHK-së treguan se janë duke inplementuar projektin “Smart Semaphore” , i cili në bashkëpunim me komunën do të mundësojë një sistem inteligjent të semaforëve në qytet e që lejon rrjedhën optimale nëpër vendkalime makinash të përbërë nga kryqe dhe rrugë të ndryshme brenda qytetit të Gjilanit.

Gjithashtu u bisedua për shumë projekte që do të mund të realizoheshin në mes Komunës dhe FSHK-së siç janë, E-Health, Platformat për Menaxhimin e Shkollave, Platformat për ndërlidhjen në mes departamenteve të ndryshme të Komunës, e në veçanti për projektin e madh të komunës – SMART CITY.

Në fund, Dekani Dërmaku dhe Kryetari Hyseni u dakorduan që së shpejti të realizojnë edhe një takim në mes Komunës dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  për fillimin e implementimit të projekteve të reja të fushës së teknologjisë, veçanërisht në bashkëpunimin për strategjinë “Smart City”.