Studentët e Universitetit ZUG vizitë studimore në UKZ

8 Tetor, 2018

Rreth 20 studentë të Universitetit të ZUG në Zvicër kanë ardhur në Kosovë, ku janë pritur nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin ‘Kadri Zeka” në Gjilan Dukagjin Leka dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë Luljete Berisha.

Kjo vizitë  është si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit  që Universiteti ‘’Kadri Zeka’’ ka me Universitetin  ZUG, në këmbim të mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve.

Studentët zviceran nën udhëheqjen e prorektorit Leka, kanë vizituar komunën e Prishtinës, ku janë takuar me Kryetari,  Shpend Ahmeti dhe Drejtorin e  Arsimit,  Jonuz Salihaj, nga të cilët u njoftuan me sfidat që ka arsimi në Kosovë në përgjithësi, dhe investimet që janë bërë në nivel lokal, me theks të veçantë në furnizimin e shkollave me laboratorë.

Gjatë ditës, studentet zvicerane vizituan shkollën “Qamil Batalli”, ku drejtori i shkollës iu shpjegoi nga afër procesin e punës që nga niveli parafillor, deri në klasën e nëntë.

Ndërkaq ditëve në vijim, në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit ZUG të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ gjatë qëndrimit katër ditor, do të kenë aktivitete të përbashkëta, do të kenë takime me menaxhmentin e UKZ-së, do të vizitojnë Komunën  disa shkolla fillore në Gjilan, si dhe do të kenë takime të ndryshme.

Ndër aktivitetet tjera që do të zhvillohen, janë paraparë dy punëtori:

Punëtoria me temë “Karakteristikat e sistemit arsimor I-V” si dhe

Punëtoria me temë ” Strategjitë e Arsimit -krahasime”.

Në ndërkohë  studentët zviceran kanë shpreh dëshirë që të qëndrojnë nëpër familjet shqiptare, respektivisht nëpër familjet e studentëve tanë, për të mësuar më shumë për  sistemin arsimor, për kulturën shqiptare,  për traditat tona dhe në përgjithësi për jetën kosovare.