U mbajt debati “Roli dhe rëndësia e UKZ-së në shoqëri” në 10-vjetorin e themelimit

8 Mars, 2023

Në kuadër të organizimeve për të shënuar vitin jubilar të Universitetit Publik ‘Kadri Zeka” në Gjilan, është organizuar debati me temën “ Roli dhe rëndësia e UKZ-së në shoqëri”.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin menaxhmenti i Universitetit, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtor të Drejtorive Komunale të Arsimit, profesorë, hisedarë të jashtëm të UKZ-së, studentë si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Me këtë rast  Valentina Bunjaku Rexhepi Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tha se Gjilani është qytet universitar dhe se hapja e tij ka shkurtuar koston dhe ka dhënë mundësi të studimit të gjithëve, e sidomos edhe qytetarëve nga Kosova Lindore. Sipas saj, Universiteti ‘Kadri Zeka’ asnjëherë nuk është politizuar dhe nuk duhet lejuar që të politizohet, prandaj ka porositur që  ta ruajmë dhe ta kultivojmë vlerën e arsimit gjilanas.  Deputetja Bunjaku Rexhepi ka thënë se është ëndërr e saj dhe do të punojë vazhdimisht në ofrimin e mundësisë së ndërtimit të Kampusi Universitar, i cili është mjaft i domosdoshëm si dhe siç ka thënë ajo, do ta ngrit zërin edhe në krijimin e pavarësisë financiare të UKZ-së.

Ganimete Ipek nga Banka Kombëtare Tregtare ka thënë se bashkëpunimi me UKZ-në është i larte, mbi 20 studentë të UKZ-së punojnë në BKT. Kështu BKT është e kënaqur me kompetencat që kanë studentët dhe për shërbimet që i ofrojnë ndaj klientëve.

Profesori Sabri Tahiri tha se roli i UKZ-së buron nga ideja për themelim që studimet të kryhen me afër, për shkaka të kostos më të ulët, por se tani duhet që edhe më shumë të  pasurohet me drejtime e fakultete të reja. Problem për Universitetin Publik “Kadri Zeka” sipas profesorit Tahiri, mbetet zgjidhja e problemit për ndërtimin e kampusit.

Dekani i Fakultetit Juridik Sadik Haxhiu, ka thënë se mungesa kryesore është kampusi, ku në këtë që jemi, nuk mund ti kryejmë në mënyrën më të mirë të mundshme gjitha aktivitetet e parapara, sepse mungon hapësira. Sipas dekanit Haxhiu, UKZ krenohet me studentët që i ka, sepse ata tashmë nga mësimet e marrura këtu, janë bërë pjesë e gjykatave, prokurorive, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe po tregojnë rezultate të shkëlqyera.

Gezimi Selimi, hisedarë i jashtëm nga kompania Calabria si dhe Fadil Sahiti, po ashtu  hisedarë i jashtëm i UKZ-së tha se ky universitet është një aset shumë i mirë i qytetit dhe rajonit që duhet të çmohet dhe vlerësohet. Si shembull Sahiti tha se  kompania e tij ka mbi 10% të stafit studentë të UKZ-së me të cilët është mjaft i kënaqur me punë.

Drejtori i Arsimit nga Komuna e Kamenicës Afrim Dervishi, tha se UKZ sot ka peshë më të madhe sesa krijimi i tij. Lidhja me komunitetin është qenësore për të mbajtur gjallë universitetin. Ai tha se duhet të rritet ndikimi i UKZ-së në reformimin e arsimit para universitar.

Dukagjin Leka, Xhevdet Thaqi dhe Bajram Fejzullahu prorektor në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, kanë falënderuar të gjithë për kontributin në debat, duke thënë se si universitet jemi të hapur për ide dhe bashkëpunim për të ngritur tutje UKZ-në.