UKZ dhe GIZ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

8 Dhjetor, 2017

Bazuar në marrëveshjen mes Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe delegacionit të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke përfshirë asokohe edhe përfaqësuesit e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse, të nënshkruar më  13 shtator 2007 në Prishtinë, si dhe bazuar në “Rishikimin e Projektit dhe Ri-aprovimin e tij” mes GTZ Zyrës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë,  të nënshkruar më 30 korrik 2009, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi  dhe Menaxheri i Programit GIZ Boris Scharloëski kanë nënshkruar  Memorandumin e Mirëkuptimit, lidhur me shkëmbimin e mbështetjes dhe kontributit në arsim .

Qëllimi i marrëveshjes ndërmjet GIZ/CDBE dhe UKZ, është përmirësimi i cilësisë së arsimit themelor, përmes të cilit kuptohet se një arsim themelor i cilësisë së lartë do t’ju mundësonte fëmijëve dhe të rinjve të kenë qasje në arsimin e mëtutjeshëm. Po ashtu qëllimi i projektit është që të përmirësojë arsimin themelor të ofruar në komunat e përzgjedhura (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Klinë, Fushë Kosovë dhe Kaçanik), në përputhje me standardet dhe procedurat që do të hartohen dhe miratohen në nivel kombëtar.

Rektori i UKZ-së  Bjarm Kosumi dhe Menaxheri i Programit GIZ Boris Scharloëski e kanë vlerësuar mjaft të rëndësishëm nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, duke thënë se ky bashkëpunim do të jetë interesant dhe atraktiv sikurse për studentët po ashtu edhe për stafin akademik të Universitetit.

Fokusi kryesor i bashkëpunimit do të jetë shkëmbimi i përvojës dhe kontributeve ndërmjet Programit GIZ/CDBE dhe UKZ, me një theks të veçantë të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Mbështetja e UKZ-së nga GIZ CDBE në lidhje me zhvillimin e kurrikules për mësimdhënës lëndorë për arsimin fillor në matematikë e cila do të testohej më vonë si masë testuese në Universitet, mbështetja e UKZ-së nga GIZ CDBE në lidhje me fuqizimin e funksionimit të Institutit për trajnimin e mësimdhënësve në shërbim dhe para-shërbimit, mbështetje dhe asistencë me ekspertizë për të zhvilluar mjete trajnuese të rëndësishme dhe innovative, mbështetja e UKZ-së nga GIZ CDBE në lidhje me zhvillimin e programeve të nivelit Master (Menaxhimi në Arsim dhe Arsimi Special),  asistimi dhe mbështetja e UKZ-së nga GIZ CDBE në lidhje me organizimin e shkollës ndërkombëtare verore për didaktikën matematikore me fokus në qasjen e mësimdhënies lëndore , asistimi dhe mbështetja e UKZ-së nga GIZ CDBE për organizimin e tryezave të rrumbullakëta me qëllim të ngritjes së diskutimit publik për qasjen e mësimdhënies lëndore, shkëmbimi i informatave dhe materialeve për çështjet relevante të arsimit, të tilla si programet ekzistuese dhe ato të ardhshme të arsimit (para dhe pas-shërbimit), promovimi i hulumtimit në fushën e arsimit, me një theks të veçantë në fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet UKZ-s dhe universiteteve gjermane, shkëmbimi informacioneve për mundësinë e bashkëpunimit për zbatimin e programeve trajnuese të akredituara të GIZ CDBE për mësimdhënësit para-shërbimit në matematikë, shkenca dhe vlerësim përmbledhës për studentët e Fakultetit të Edukimit.