UKZ dhe GIZ nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Tetor 2, 2017

Rektori i Universiteti “Kadri Zeka”  Bajram Kosumi,  ka nënshkruar Memorandum  Mirëkuptim me James Macbeth Forbes  drejtor i GIZ-it në Kosovë respektivisht,  Programit të Migracionit për Zhvillim/Qendrës Informative Gjermane për Migracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë .

Një nga pengesat kryesore në të cilat has rinia kosovare në ndjekjen e karrierës së tyre është informimi, planifikimi dhe këshillimi i pamjaftueshëm lidhur me mundësitë që ofron tregu lidhur me ofrimin e arsimit dhe të aftësimit çoftë brenda ose jashtë vendit. Për  këtë, Universiteti “Kadri Zeka”  nëpërmjet Zyrës për Zhvillim të Karrierës /ZZHK  ka nënshkruar Memorandum  Mirëkuptim me The Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – Programit të Migracionit për Zhvillim/Qendrës Informative Gjermane për Migracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë, përmes së cilës marrëveshje do të mund të funksionalizohet zyra për zhvillim të karrierës.

Universiteti “Kadri Zeka” Gjilan duke qenë një universitet i ri, ballafaqohet me mangësi në një numër aspektesh,  ndër to është edhe mungesa e zyres për zhvillim të karrierës/ZZHK.Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj zyre, pasi që ajo i lidh studentët me tregun e punës dhe anasjelltas,  UKZ ka nisur të formësojë ide për zhvillimin e saj me ndihmën e partnerëve të vet, si GIZ/DIMAK që njëherësh janë të përkushtuar që të rrisin  ndërtimin e kapaciteteve të kësaj zyre.

Në këtë Marrëveshje përcaktohen përgjegjësitë e palëve për mbështetjen, bashkë-organizimin dhe zbatimin e përbashkët të veprimeve në ngritjen e kapaciteteve me synimin kryesor zhvillimin e mëtejmë të ZZHK-së, si dhe sendërtimin e strukturave të reja për menaxhimin e informatave dhe të këshillave të karrierës për trajtimin e nevojave të studentëve dhe të diplomuarve të ardhshëm që aspirojnë të kenë karrierë brenda dhe jashtë Kosovës. Hartimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe i instrumenteve për ta demonstruar procesin e zhvillimit të karrierës në Kosovë dhe në Gjermani, mbajtja e seancave të përbashkëta informative mbi karrierën nëpër njësitë e ndryshme të UKZ-së, angazhimi në bashkëpunimin e mundshëm rajonal dhe ndërkombëtar. Po ashtu sipas marrëveshjes  do të bëhet identifikimi i institucioneve partnere të mundshme në Gjermani për vendosjen e bazave të bashkëpunimit në mobilitetin e studentëve dhe të mësuesve që mund të kontribuojë në migrimin qarkullues, angazhimi në masat për krijimin e veprimeve të përbashkëta me institucionet gjermane dhe ato  të diasporës për vjeljen e fryteve të migrimit qarkullues, etj.