UKZ dhe PEMA nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Rektori i Universitetit “ Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi dhe Drejtoresha Ekzekutive  e PEMA – Qendra e Kujdesit Ditor në Gjilan, Liridona Zogaj, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi

Qëllimi i kësaj Marrëveshje është bashkëpunimi profesional në praktikën e studentëve të Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit te Shkencave Kompjuterike në kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

 Universiteti “Kadri Zeka”, ka studentë të regjistruar në studime të larta relevante, arsimimi i të cilëve do të zhvillohet nga përvoja praktike arsimore dhe dëshira për të shfrytëzuar resurset që ofron Qendra për studentët e Universitetit, ndërsa Qendra ka resurse adekuate dhe shpreh dëshirë për t’i bërë ato të disponueshme për qëllime të zhvillimit arsimor dhe përvojës për studentet e Universitetit. Qendra ofron shërbime psikosociale dhe rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara nga 3 – 18 vjeç.

Palët janë pajtuar se do të bashkëpunojnë në përzgjedhjen e studentëve për kryerjen e praktikës tek Qendra. Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike do të ndihmojnë në hulumtime, me programe të ndryshme dhe zhvillimin e platformave, të cilat  mund të përdoren nga Qendra. Studentët nga Fakulteti i Edukimit do të mësojnë, do të udhëzohen se si të ofrojnë kujdes dhe mbështetje, përmes programeve psikosociale, për fëmijët me aftësi të kufizuara, që në të ardhmen të jenë më të përgatitur  për të punuar me  Planet Individuale të Arsimit (IEP) në institucionet parashkollore dhe në shkolla dhe për të marrë përgjegjësinë për zbatimin e tyre.

Gjithashtu, palët janë pajtuar që të bëjnë edhe shkëmbimin ndërinstitucional të kuadrove duke ftuar stafin e institucionit/organizatës partnere të merr pjesë në aktivitete të ndryshme hulumtuese dhe zhvillime profesionale me qëllim përforcimi të programeve studimore në të ardhmen.