UKZ fillon implementimin e projektit Erasmus+ STEAMedu

16 Mars, 2021

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit me Koordinatorin e projektit STEAMedu – Universitetin e Mostarit për implementimin e projektit të ri në kuadër të Programit ERASMUS+ “MSc course in STEAM education” me numër 618996-EPP-1-2020-1-BA-EPPKA2-CBHE-JP.

Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi kërkoi nga i gjithë stafi akademik dhe studentët e UKZ-së që të realizohen me sukses të gjitha aktivitetet e parapara me këtë projekt me rëndësi, nga koordinatori i këtij projekti Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, prorektori Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe të gjithë anëtarët tjerë të ekipit të UKZ-së.

Projekti STEAMedu ka të bëjë me themelimin e studimeve Master në fushën e  edukimit STEAM në kuadër të UKZ-së. Me fjalë tjera, projekti STEAMedu synon të kontribuojë për të promovuar qasje inovative dhe ndër-disiplinore të mësimdhënies në Shkencë, Teknologji, dhe Matematikë (STEAM) duke hartuar, zhvilluar dhe vlerësuar një program studimor të nivelit Master. Ky program u dedikohet studentëve, mësimdhënësve dhe profesionistëve që kërkojnë njohuri dhe aftësi për të nxitur ndryshimin arsimor në përgjigje të një bote gjithnjë e më teknologjike dhe të pasur me shkencë. Programi studimor në mësimdhënien e STEAM do të sigurojë një qëndrueshmëri në nivel kombëtar, ndërkombëtar dhe të orientuar praktikisht për të iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të ngutshme sociale dhe mjedisore të shoqërisë së zhvilluar dhe gjithnjë e më dinamike.

Gjatë implementimit të këtij projekti, do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme për studentët dhe mësimdhënësit e UKZ-së. Studentëve do t’u mundësohet të jenë në gjendje të frymëzojnë më shumë për t’u specializuar në fushat e STEAM, në mënyrë që të ndërmarrin karrierë shkencore, ndërsa mësimdhënësit do të mbështeten për ngritje të cilësisë në mësimdhënie nga këto fusha të cilat janë pjesë e reformave arsimore të përkrahura nga Bashkimi Evropian.

Universiteti “Kadri Zeka” do të përfitojë edhe pajisje në shumë prej 19.500 Euro të cilat do të mbulojnë pajisje teknologjike dhe software të nevojshëm për programin e ri studimor.