UKZ filloi ditët informuese për ERASMUS +

13 Tetor, 2022

Menaxhmenti, stafi akademik dhe administrativ si dhe studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, patën rastin që gjatë ditës së sotme të njihen nga afër me mundësitë që ofrojnë projektet e programit Erasmus +. E gjithë kjo u bë e mundur  falë ditës informuese të organizuar nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e UKZ-së.

Kështu, Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar ka organizuar disa aktivitete të ndara në hapësira të ndryshme të UKZ-së. Në këndin informues në hyrje të UKZ-së, janë shpërndarë fletushka dhe  material tjetër informativ për stafin akademik dhe veçanërisht për studentët me të dhëna në detaje për projektet ku universiteti jonë është koordinator dhe si partner.

Ndërsa në hollin e Universitetit është bërë prezantim për menaxhmentin, stafin akademik dhe atë administrativ.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka tha se kjo ditë është organizuar me qëllim që të interesuarit për programet, respektivisht projektet e Erasmus + të kenë një derë  ku mund t’i marrin informacionet, ku mund të informohen të gjithë në detaje rreth projekteve, aktiviteteve, dhe organizimeve tjera sa i përket punës së zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, respektivisht projekteve të BE-së.

Ndër të tjera, Prorektori ka ftuar të gjithë stafin dhe studentët të shfrytëzojnë mundësin e pakrahasueshme që ofron UKZ-ja dhe programet në projektet Erasmus +.

Për punën e e bashkëpunimit ndërkombëtar janë shprehur të lumtur edhe stafi akademik, administrativ dhe studentët, duke thënë se është kënaqësi kur sheh rezultate të mira në të arriturat e  Universitetit sa i përket projekteve të Bashkimit Evropian.

Gjatë organizimeve të sotme, janë treguar përvoja suksesi të studentëve përfitues të bursës Erasmus+ për shkëmbime semestrale, po ashtu pjesëmarrësit në INFO DAY, kanë marrë informata relevante rreth projekteve Erasmus+, si dhe shumë detaje tjera rreth mobilitetit.

UKZ edhe ditëve në vazhdim ka paraparë aktivitete të ndryshme për INFO DAY ERSAMUS+.