UKZ ka prezantuar projektin e Erasmus+ STEAMedu

Tetor 14, 2021

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka prezantuar sot projektin e radhës të Erasmus+ STEAMedu.

Në fjalën e tij Rektori, Prof. Dr. Bajram Kosumi ka thënë se prezantimi i programit të ri Master STEAMedu është i një rëndësie të veçantë, përmes së cilit do të promovohet arsim teorik dhe praktik i studentëve me anë të një pakete të lëndëve obligative, zgjedhore dhe seminareve për integrimin e fushave nga Shkenca, Teknologjia, Arti dhe Matematika.

Kurse Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, njëherësh Koordinator i STEAMedu në UKZ tha se qëllimi i projektit STEAMedu është hapja e programit master me të njëjtin emër i cili synon përgatitjen e mësimdhënëseve në fushën e Shkencave, Teknologjisë, Informatikës dhe Matematikës (STEAMedu).

Edhe prorektori për Bashkëpunim  Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, Dekanja e Fakultetit të Shkencave Aplikative Prof.Ass.Dr. Shpresë Qamili, Dekani i Shkencave Kompjuterike Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku dhe prodekani i Fakultetit të Edukimit Prof. Ass. Dr. Bashkim Dalipi kanë uruar për  sukseset në vazhdimësi të STEAMedu duke thënë se përmes këtij programi do të rrisim dijet e studentëve në fushat e integruara të STEAMedu.

Gjatë prezantimit të analizës së parimeve bazë të STEAMedu, mes tjerash nga studentët e UKZ-së që janë pjesë e Klubit të IT-së KIT, ka pasur prezantime dhe diskutimi për mundësuesit e STEAM, po nga klubi i IT-së KIT janë paraqitur në mënyrë të theksuar fleksibilitetit, duke përdorur një model të përzier të ofrimit që kombinon metodat e mësimdhënies të bazuara në klasë me mësimin në internet dhe adresimi i nevojës për hapa konkret drejt krijimit të një ekosistemi arsimor ndërkurrikular.

Projekti STEAMedu ka të bëjë me themelimin e studimeve Master në fushën e  edukimit STEAM në kuadër të UKZ-së. Me fjalë tjera, projekti STEAMedu synon të kontribuojë për të promovuar qasje inovative dhe ndër-disiplinore të mësimdhënies në Shkencë, Teknologji, Informatikës, Artit dhe Matematikë (STEAM) duke hartuar, zhvilluar dhe vlerësuar një program studimor të nivelit Master. Ky program u dedikohet studentëve, mësimdhënësve dhe profesionistëve që kërkojnë njohuri dhe aftësi për të nxitur ndryshimin arsimor në përgjigje të shoqërisë së zhvilluar dhe gjithnjë e më dinamike.

Gjatë implementimit të këtij projekti, do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme për studentët dhe mësimdhënësit e UKZ-së. Studentëve do t’u mundësohet të jenë në gjendje të frymëzojnë më shumë për t’u specializuar në fushat e STEAM, në mënyrë që të ndërmarrin karrierë shkencore, ndërsa mësimdhënësit do të mbështeten për ngritje të cilësisë në mësimdhënie nga këto fusha të cilat janë pjesë e reformave arsimore të përkrahura nga Bashkimi Evropian.