UKZ KA SHËNUAR DITËN NDËRKOMBËTARE TË FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Dhjetor 3, 2019

Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit  “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të lëndës “Gjithëpërfshirja në arsim”, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Januz Dervodeli dhe Prof. Ass. Dr. Voglushe Kurteshi, kanë  vizituar Qendrën e Përkujdesit Ditor ”PEMA” në Gjilan, me këtë rast I kanë duruar kësaj qendre disa materiale didaktike të përgatitura nga vetë studentët.

Edukimi gjithëpërfshirës është një filozofi dhe praktikë pedagogjike, i cili lejon çdo nxënës të ndjehet i respektuar, i sigurt, i mbrojtur deri në atë masë, sa të zhvillojë plotësisht potencialin e vet, ka thnën profesori Dërvodeli gjate kësaj vizite.

Ndërsa Prof. Ass. Dr. Voglushe Kurteshi, ka thënë se, qëllimi i përgjithshëm i shënimit të kësaj dite është të tregohet se studentët si mësimdhënësit  e ardhshëm, besojnë se të gjithë nxënësit mund të nxënë edhe pse, jo në të njëjtën mënyrë, jo në të njëjtën kohë, jo njësoj. Të gjithë nxënësit kanë të drejtën për të ndjerë zbatimin e një programi cilësor, i cili i ndihmon ata të ecin përpara, ka shtuar profesoresha Kurteshi.

Sipas saj, gjithëpërfshirja nënkupton pjesëmarrje, të mësosh së bashku me të tjerët duke bashkëpunuar me bashkëmoshatarët e duke ndarë të njëjtat përvoja të të nxënit. Në këtë mënyrë, ky proces ndihmon të gjithë fëmijët të njohin, pranojnë e vlerësojnë veten.

Ndryshe, studentët gjatë kësaj vizite,  kanë përgatitur disa modele të detyrave sipas parimit të diferencuar dhe individualizimit të procesit mësimor, për përmbushjen e nevojave arsimore të secilit fëmijë, nevoja këto që rrjedhin nga aftësia e kufizuar e fëmijës.

Po ashtu studentët u njoftuan për punën që bëhet në  Qendrën e Përkujdesit Ditor ”PEMA” në Gjilan  nga koordinatorja  dhe bashkëpunëtorët e kësaj Qendre.