UKZ me platformë të re për menaxhimin e universitetit

8 Maj, 2018

Profesori i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dërmaku, është duke punuar platformën  e re për menaxhimin e Universitetit, e cila përmban 10 module dhe është e para e këtij lloji në Kosovë.

Gjithë këtë punë ai e ka prezantuar para drejtuesve të UKZ-së, ku Rektori Bajram Kosumi  dhe të tjerët janë shprehur mjaft të kënaqur. Rektori Kosumi njëherësh ka inkurajuar të gjithë që të vazhdojnë të punojnë, sepse siç tha rektori Kosumi, kjo i shërben ngritjes së cilësisë së Universitetit.

Ndërkohë profesori Artan Dërmaku ka njoftuar veç e veç për secilin modul.

Ai ka thënë se përmes modulit orari mundësohet menaxhimi i orarit të ligjëratave/ushtrimeve dhe provimeve në mënyre automatike si dhe ka mundësinë e manipulimit manual nga ana e përdoruesit, duke siguruar kështu eliminimin total të konflikteve në orar. Gjatë gjenerimit automatik të orarit merret parasysh disponueshmëria e të gjithë profesorëve brenda semestrit, zvogëlimi i ngarkesës së studentëve brenda ditës (nëse ekziston mundësia).

Moduli i arkivimit i mundëson roleve të ndryshme hierarkive brenda universitetit qasje në dokumente të digjitalizuara (dokumente të skanuara, dokumente digjitale) të vendosura manualisht nga personat përgjegjës ose të gjeneruar automatikisht nga modulet e përmendura në këtë listë. Përveç arkivimit digjital ekziston edhe arkivimi fizik, ku personat përgjegjës mund të bëjnë lidhjen e dokumenteve digjitale me ato fizike duke i mundësuar kështu qasje dhe orientim të shpejtë në dokumentet fizike përmes një ndërfaqeje vizuale në ekranin e kompjuterit.

Moduli i transferimit i mundëson personave përgjegjës brenda fakultetit një mënyrë më të lehtë të transferimit të studentëve nga programet tjera të universiteteve të ndryshme. Ky modul i lehtëson njohjen e lëndëve të programit aktual të fakultetit përkatës me lëndët nga programi paraprak i studentit, duke i sugjeruar lëndët nga njohjet paraprake të transferimeve tjera. Moduli i transferimit gjithashtu mundëson raportin automatik të gjendjes aktuale të transferimit të studentit duke treguar se në cilin vit është transferuar studenti (në bazë të kritereve të paracaktuara për transferimin e studentëve nga rregullorja e fakultetit).

Moduli i syllabuseve i mundëson profesorëve të universitetit të plotësojnë syllabuset e lëndëve të cilat ata/ato i ligjërojnë në bazë të formave të përcaktuara nga universiteti. Format e syllabuseve janë të menaxhueshme, që nënkupton që fushat brenda syllabusit mund të ndryshohen nga ana e administratorit në rast se merret një vendim i tillë brenda universitetit. Secili profesor mund të shkarkojë syllabesin e secilës lëndë, njëkohësisht instanstancat më të larta si dekanati apo edhe rektorati kanë qasje për të shikuar ose shkarkuar syllabuset e të gjitha lëndëve. Të gjitha syllabuset e ndryshuara nga ana e profesorëve arkivohen automatikisht në formatin PDF në modulin e Arkivimit.

Moduli i evidencës i mundëson universitetit menaxhimin e orëve të mbajtura nga profesorët, duke ofruar kështu identifikimin e orëve të mbajtura, vonesat, zëvendësimet, orët e humbura si dhe vërejtjet drejtuar profesorëve në aspektin e mbajtjes së orëve. Ky modul gjithashtu mundëson raportimin e totalit të orëve të mbajtura, të humbura apo të zëvendësuara nga një profesor i caktuar ose në aspekt të fakultetit. Gjithashtu ky modul do të jetë pjesë përbërëse e modulit të Financave për shkak të raporteve të nr. të orëve për profesorët.

Përmes  modulit CV është unifikuar formati i CV-ve për punonjësit akademikë brenda universitetit, ku secili punonjës akademik do të ketë mundësinë të ndryshojë të dhënat e nevojshme për CV-në ( të dhënat personale, shkollimin, përvojat e punës, shkathtësitë personale, punimet shkencore si dhe informacione tjera të ndryshme) sipas standardeve evropiane. Profesorët përveç ndryshimit të CV-së do të kenë edhe mundësinë e shkarkimit, ndërsa dekanati dhe rektorati do të kenë mundësinë e shikimit/shkarkimit të CV-ve të të gjithë profesorëve. Formatet e paraqitjes së të dhënave do të mund të menaxhohen nga administratori, në bazë të vendimeve të marra brenda universitetit.

Moduli i mbledhjeve është menduar të ofrojë mundësinë e menaxhimit të mbledhjeve të llojeve të ndryshme brenda universitetit, si mbledhjet e senatit, mbledhjet e këshillit, mbledhjet brenda fakulteteve si dhe mbledhjeve të natyrave tjera. Përmes këtij moduli do të mundësohet që secili pjesëmarrës i mundshëm i mbledhjeve të mund të propozojë pika të ndryshme të diskutimit gjatë mbledhjes, pika të cilat mund të miratohet, refuzohen ose shtyhen nga kryesuesi i mbledhjes. Gjithashtu përmes këtij moduli do të ruhen edhe ecuria e mbledhjes, minutat e secilit folës brenda mbledhjes, vendimet dhe propozimet. Secili pjesëmarrës do të ketë qasje në raportet e mbledhjeve në bazë të rolit të cilin e ka pasur gjatë mbledhjes.

INTEGRATED MOODLE–Ky modul do të mundësojë integrimin e MOODLE në këtë platformë të menaxhimit përmes API shërbimeve të cilat MOODLE i ofron për aplikacionet e jashtme. Qëllimi i këtij integrimi është menaxhimi i sa më shumë moduleve përmes një llogarie të vetme, duke evituar kështu kyçjet e panevojshme në ato raste kur mund të evitohet.

SEMS–Ky modul do të mundësojë menaxhimin e provimeve të studentëve në UKZ, duke mundësuar të gjitha ato që mundëson SEMS-i aktual, por edhe duke implementuar shumë funksione shtesë e të cilat nuk i posedon ky SEMS për momentin. Duke ditur rëndësinë e këtij moduli, ky modul pritet që të funksionalizohet brenda këtij viti.

Moduli i FIINANCAVE është menduar të ofrojë mundësinë e menaxhimit të ndërlidhjes dhe raporteve aktuale  të cilat  Fakultetet dhe Rektorati i ka për momentin me zyrën e Financave. Me anë të këtij moduli zyra e financave do të ketë qasje direkte në të dhënat e profesorëve, raportin e orëve për pagesë, dhe të gjitha funksionet e tjera të cilat për momentin Dekanatet dhe Rektorati komunikojnë me zyrën e Financave përmes letrave dhe raporteve fizike.