UKZ pjesë e trajnimit në kuadër të projektit SIAHDPC që po mbahet në Finlandë

28 Prill, 2022

Përfaqësues të  Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Ass. Dr. Lindita Nebiu, Prof. Ass. Dr. Arben Sahiti, Luljete Berisha zyrtare për Marrëdhënie me Jashtë, Nevzad Halimi Udhëheqës i zyrës së shërbimeve studentore dhe Mensur Ajeti Zyrtar për Zotim të Mjeteve Buxhetore, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare një javore në JAMK University në Jyvaskyla të Finlandës. Ata po marrin pjesë në trajnimin, organizuar në kuadër të projektit SIAHDPC (Student-run Interdisciplinary Allied Health Digital Practice Center), (Qendra Dixhitale e Praktikës Shëndetësore Ndërdisiplinore e Udhëhequr nga Studentët) i financuar nga Erasmus +.

Trajnimi në fjalë ka të bëjë me pilotimin e lëndëve, Carpe Diem proces; trajnim mbi platformën Moodle; Cyber Security dhe vizita nëpër institute dhe qendra multidisciplinare, laboratore dhe qendra simulimi.

Projekti SIAHDPC pritet t’u mundësojë IAL-ve të Kosovës që të kontribuojnë në mënyrën më efektive në fushën e shëndetit, duke përmirësuar cilësinë dhe rëndësinë e mësimdhënies të nevojshme për të trajtuar mospërputhjet e aftësive në të ardhmen. Po ashtu si një impakt direkt do të jetë edhe zhvillimi i aftësive drejt një sistemi të arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të lidhur. Ky projekt do të krijojë edhe lidhje të reja dhe më të forta bashkëpunimi midis “trekëndëshit” të arsimit, kërkimit dhe industrisë për nivele më të larta të efektivitetit dhe mekanizmave të financimit.

Udhëheqës i këtij projekti është Kolegji Heimerer, kurse pjesëtarë të Konzorciumit janë 10 institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare. Institucionet partnerë të këtij projekti janë: Universiteti Publik ‘Kadri Zeka”, RIT Kosovo, Universiteti Jamk (Finlandë), Universiteti i Shkencave Aplikative Metropolia (Finlandë), Universiteti Martin Luther në Halle (Gjermani), Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (Kosovë), Klinika Digjitale (Kosovë), Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (Kosovë), Milky Way Creative (Kosovë), si dhe Univations (Gjermani).