UKZ-së pjesëmarrëse në takimin e ftuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës

5 Dhjetor, 2018

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Dukagjin Leka, ka përfaqësuar Rektorin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan,  Bajram Kosumi në takimin e ftuar me Rektorë të universiteteve publike dhe kolegjeve private nga ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Gjatë këtij takimi është diskutuar ngritja e cilësisë në studime, harmonizimi dhe reformimi i kurrikulave me nevojat e tregut të punës.

Me këtë rast Prorektori Leka ka parashtruar disa kërkesa dhe propozime:

  1. Rritja e numrit të studentëve praktikantë në të gjitha institucionet qeveritare dhe lokale me pagesë, e cila do të mbulonte shpenzimet mujore dhe transportin e studentëve.
  2. Praktika në zyret e Avokatëve, Noterëve dhe Përmbaruesve të bëhet me pagesë. Në këtë kontekst Prorektori Leka ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë dhe Odat e Avokatëve të Kosovës, Noterëve dhe Përmbaruesve në bashkëpunim me Avokatët, Noterët dhe Përmbaruesit të bëjnë të detyrueshme që së paku ti përcjellin dy praktikantë në vit.
  3. Praktika në Gjykata dhe Prokurori me pagesë, ku do të shtohej numri i praktikantëve për një vit, me qëllim të një përfshirje më të madhe të studentëve.
  4. Bashkëpunimi i MD me Institutet e Universiteteve tona respektive për ndihmë reciproke në çështje të ndryshme juridike.
  5. Bërja e detyrueshme për Gjyqtarë, Prokuror, Avokatë, Noterë dhe Përmbarues që të mbajnë orë klinike në Fakultetet tona respektive, duke ngritur cilësinë praktike në Fakultetet Juridike, e cila do të duhej të ju llogaritej këtyre të fundit si poena shtesë në ngritjen e tyre profesionale.
  6. Bashkëpunimi në mes Universiteteve tona dhe MD duhet të bëhet edhe në projekte të përbashkëta, e sidomos në Erasmus + dhe Horizon 2020 dhe shumë mundësi të tjera.

Gjatë këtij takimi, u tha se është e rëndësishme bashkëpunimi në këtë aspekt mes Ministrisë së Drejtësisë dhe universiteteve, sepse konsiderohet që institucionet e arsimit do të kontribuojnë në nxjerrjen e kuadrove profesionale, kuadro që do të ndihmojnë sistemin e drejtësisë që të jetë sa më profesional dhe funksional.

Gjithashtu, Ministri Tahiri theksoi se duhet të krijohen grupet punuese dhe do të mundësohet që stafi akademik të përfshihet në hartimin e ligjeve, teksa studentët e Juridikut do të angazhohen në punë praktike në mënyrë që ata të aftësohen dhe ngritën profesionalisht në këtë fushë.

Arritja e një marrëveshjeje të tillë, sipas ministrit Tahiri, do të jetë frytdhënëse dhe do të jep rezultate pozitive në këtë aspekt.

Ministri Tahiri njoftoi se një takim i natyrë së tillë pritet të mbahet pas gjashtë muajsh ku do të konkretizohen propozimet, kërkesat dhe do të shpalosen idetë e analizuara nga ekspertë të çështjes.