UKZ shembull i mirë i arsimit të lartë në Kosovë

22 Mars, 2018

 

Kryeministri Haradinaj dhe Akademik Nexhat Daci flasin edhe për Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Është mbajtur në Prishtinë takimi i parë i nivelit të lartë dedikuar arsimit. Takimi është organizuar nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Në takim, përpos kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, zëvendës kryeministrave Enver Hoxhaj e Fatmir Limaj, Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci,Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi, rektorët e Universiteteve tjera Publike, përfaqësuesit e disa Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë në Kosovë dhe shumë drejtues të niveleve të ndryshme të arsimit në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për mobilizim të gjithë aktorëve të kësaj fushe për përmirësimin e gjendjes në të gjitha nivelet, sidomos në ngritjen e cilësisë së arsimit. Duke folur për të metat e përparësitë e arsimit të lartë në Kosovë, kryeministri Haradinaj tha se “kam qenë në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit dhe jam shume i kënaqur me ato qe kam pare atje dhe me punën që është duke u bërë atje”, dhe ka përgëzuar rektorin Kosumi për të arriturat.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi,tha se duhet një bashkërendim i veprimeve të të gjithë aktorëve, sepse çështja e arsimit është tema më e rëndësishme nacionale, andaj edhe zgjidhja duhet të jetë nacionale.

Ndërkaq edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci tha se “Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është një shembull shume i mire se si duhet te zhvillohet universiteti.”

Takimi është mbajtur në vazhdën e interesimit të qeverisë së Kosovës për ndryshimin e gjendjes në arsimin e Kosovës.