Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” filloi vitin e ri akademik 2018/2019

2 Tetor, 2018

Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”,  në mënyrë solemne është bërë pritja e studentëve  me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2018/2019

Studentëve të rinj mirëseardhje u ka dëshiruar, Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”,  Bajram Kosumi, i cili tha se,  sot për secilin nga ju student, fillon një histori e re dhe se gjithmonë do ta kujtoni këtë ditë. “Nga sot e tutje do ta trajtoni shumë më seriozisht çdo ide, çdo hap e çdo veprim tuajin. Një ide, një hap apo një veprim i mençur do të ju shpjerë drejt majave, drejt suksesit dhe drejt përparimit. Një ide, një hap apo një veprim i gabuar mund t’u shmang nga ky sukses”, ka thënë mes tjerash Rektori Kosumi.

Rektori u ka thënë studentëve se në momentin kur keni vendosur të studioni në këtë Universitet, duhet të jeni të bindur se e ardhmja juaj do të jetë më e lumtur, do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës në të ardhmen.  “Për asnjë rast mos mendoni se nuk keni zgjedhur universitetin e duhur! Ju garantoj se ju keni bërë zgjedhjen e duhur, më të mirën. Nuk e them këtë për dikë që ka provuar të regjistrohet në mjekësi e tash ka përfunduar në juridik. Ajo është çështje tjetër. Por e them për faktin se keni zgjedhur UKZ, e jo një universitet tjetër. Keni zgjedhur drejt dhe mirë. Do të bindeni gjatë tri dhe katër vjetëve të ardhshme”, ka thënë Rektori Kosumi.

Ndërkohë , para studentëve me një fjalë rasti është paraqitur edhe kryetari i Parlamentit studentor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Adrian Bajrami. Ai duke ju uruar mirëseardhje studentëve në këtë vit të ri akademik, ka thënë se status më të privilegjuar se të jesh student nuk ka. Ai ka lutur studentët që të mësojnë të bëhen studentë cilësor, sepse vetëm kështu mund të arrijmë atë çka dëshirojmë që të jemi konkurrent në tregun evropian dhe global.

Më pas drejtuesit e njësive akademike, respektivisht dekanët, bashkë me stafin e tyre, kanë vazhduar  takimet për t’i informuar  studentët për programet e studimit qe ata kanë zgjedhur të studiojnë.

Këtu gjeni fjalën e rektorit Bajram Kosumi për studentët e rinj në Universitetin Publik “Kadri Zeka” Gjilan