Universiteti “Kadri Zeka” dhe IKAF nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

2 Shkurt, 2017

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan bashkë me Institutin KAF, në rrugëtimin drejt krijimit të mundësive sa më të përshtatshme dhe cilësore për kualifikimin dhe zhvillimin profesional të studentëve në bazë të standardeve dhe vlerave më të larta profesionale, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje të  nënshkruar nga Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi dhe  Drejtori Ekzekutiv i Institutit KAF  Bujar Krasniqi, është bashkëpunimi profesional për përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e kontabilitetit dhe financave, shkëmbimin e përvojave në fushën e kontabilitetit, auditivit dhe financave, si dhe certifikimin e studentëve të diplomuar të Fakultetit Ekonomik.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi tha se nënshkrimi i marrëveshjes me  IKAF-in, si një institut i kontabilistëve dhe i audituesve, i jep nuanca të veçanta bashkëpunimit në shkëmbimin e eksperiencës, duke fituar përvoja të ndryshme edhe studentët  e Universitetit  tonë.

Kurse Drejtori Ekzekutiv  Bujar Krasniqi, theksoi se do të përkrahë Universitetin “Kadri Zeka” në drejtim të zhvillimit profesional në bazë të standardeve profesionale,  duke  ju mundësuar studentëve që në sajë të njohurive të marra,  të akumulojnë aftësitë e nevojshme duke  rritur potencialin  e tyre për punësimin në kompani e organizata  private  apo publike,  vendase ose të huaja, prodhuese ose të shërbimit, si  specialist  i fushës përkatëse të studimit  duke  ndjekur rrugën  e  ushtrimit të profesionit të kontabilistit,  financierit apo menaxherit të biznesit.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit  palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt do të ulen të diskutojnë drejt mundësisë së bashkërendimit  të kutikulave konform SNE 2  (Standardi Ndërkombëtar i Edukimit për përmbajtjen e kurkikulës për zhvillimin profesional të kontabilistëve dhe auditorëve) i dalë nga bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit në Kontabilitet  (IAESB) dhe direktivës Nr. 8 të Bashkimit Evropian për ofrimin e studimeve sa më cilësore në fushën e Kontabilitetit.

DSC_0256 DSC_0260