Universiteti “Kadri Zeka” dhe Universiteti “Isa Boletini” me marrëveshje bashkëpunimi

Rektori  i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi dhe Rektori i Universitetit “ Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj,  kanë  nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve. Në marrëveshje planifikohet që dy universitetet  të bashkëpunojnë për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm akademik.

Në marrëveshje janë precizuar saktë edhe pikat e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Planifikohet shkëmbimi i  personelit akademik për procesin mësimor, mandej edhe shkëmbimi i pedagogëve dhe studentëve në kuadër të veprimtarisë shkencore.

Pikë tjetër në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit është edhe nxitja dhe mbështetja e realizimit të projekteve të përbashkëta kërkimore, mandej nxitja dhe mbështetja e organizimit të veprimtarive shkencore etj.  Gjithashtu parashihet shkëmbimi I literaturës shkencore, përvojës menaxheriale etj.

Të dy rektorët janë shprehur shumë të kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim ndërmjet dy universiteteve. Ata u zotuan të ofrojnë krejt mundësitë që ofron njëri dhe universiteti tjetër në të mirë të punës kërkimore si për studentët, ashtu edhe për stafin akademik dhe administratën.

Njëherësh Rektori Kosumi bashkë  me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm, kanë uruar Rektorin Musaj për kampusin e ri të Universitetit të Mitrovicës, me ç’rast, Rektori Kosumi i dhuroi një pikturë të Shote Galicës, e punuar nga profesori i artit në UKZ, Ahmet Ibrahimi.