Universiteti “Kadri Zeka” ka dhuruar çmimet ndërkombëtare për prodhuesit vendor të verërave

5 Dhjetor, 2017

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u ka dhënë medaljet dhe diplomat  fituesve, prodhues të  verërave të Republikës së Kosovës ,  të cilët janë shpërblyer me  dy çmime ndërkombëtare për cilësi në verë të bardhë dhe të kuqe në  garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.

Rektori Bajram Kosumi  tha se, ky rast  ka qenë një kënaqësi e veçantë sepse sipas tij çmime të tilla e nderojnë Universitetin “Kadri Zeka”, prodhuesit e verërave si dhe vendin – Republikën e Kosovës.

Rektori Kosumi ka vlerësuar punën akademike të Universitetit mes tregut të punës në këtë rast, prodhuesve vendor. Ai ka shtuar se në një pjesëmarrje të 30 prodhuesve të verërave nga 13 shtete të ndryshme të Evropës, prodhuesit e verarisë në Kosovë janë vlerësuar më të mirët dhe atë, vendi i parë i është ndarë verarisë RAHVERA ndërsa vendi i tretë verarisë DAKA dhe verarisë SEFA WINE.

Nga ana e tij Hamëz Rama nga Shoqata e Verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, ka  falënderuar Universitetin  “Kadri Zeka”  që po krijon mundësi për  bizneset kosovare, që tregun e punës ta zgjerojnë në nivel ndërkombëtar. Ai ka thënë se mbrojtja e interesave të prodhuesve të verërave karshi institucioneve lokale dhe qendrore dhe zhvillimet në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, janë misioni dhe vizioni i shoqatës që ai drejton.

Edhe përfaqësuesit e verarive që janë shpërblyer me ­çmime, kanë falënderuar  drejtuesit e Universitetit “Kadri Zeka” për përkrahje dhe mbështetje, duke thënë se falë mundësisë që iu është dhënë nga UKZ, tani ata janë të barabartë në tregun e punës karshi vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, në muajin shator të këtij viti,  Universiteti “Kadri  Zeka” në Gjilan u ka mundësuar dhjetë prodhuesve të verërave të Kosovës që të garojnë në garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.

Ky organizim është vlerësuar mjaft i rëndësishëm, duke i dhënë kështu  mundësinë verëtarëve të Kosovës të plasojnë verërat e tyre në tregun e Unionit Evropian.

E gjithë kjo ka ardhur si  rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit që  Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka me Universitetin e Mariborit në Slloveni dhe me Shoqatën e verëtarëve të Kosovës “Enologjia”.

Në garat e 10-ta ndërkombëtare të verërave organizuar nga Universiteti i Mariborit dhe Universiteti “Kadri Zeka”, kanë marrë pjesë  30 prodhues të verërave nga 13 shtete të Unionit Evropian.