Universiteti “Kadri Zeka” me marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit

24 Shkurt, 2018

Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi veç e veç  edhe me dy komuna, atë të Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit,  për  shkëmbim të shumanshëm në funksion të zhvillimit institucional.

Nënshkruesi i marrëveshjes, Rektori i UKZ-së Bajram Kosumi,  Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Kryetari i Komunës Hanit të Elezit Rufki Suma, kanë thënë se institucionet që ata drejtojnë, me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë,  do të kenë qëllim të përbashkët- përkrahjen e studentëve gjatë studimeve dhe identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.

Bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe Komunave në fjalë do të përfshijë, mundësimin e mbajtjes së punës praktike për studentët e UKZ-së, nëpër drejtoritë komunale të Komunave përkatëse, përkrahjen e studentëve me bursa studentore komunale, zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me interes të  institucioneve, organizimin e përbashkët të konferencave, trajnimeve, seminareve, ngjarjeve kulturore dhe bashkëpunimeve të tjera profesionale, etj.

Rektori Bajram Kosumi i shoqëruar nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Dukagjin Leka, gjatë qëndrimit në Komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit, e  kanë uruar kryetarin Ilazi dhe kryetarin Suma për  marrjen e përgjegjësive të reja,  si kryetar komune, derisa i ka njoftuar ata  rreth zhvillimit dhe funksionimit  të Universitetit. Rektori ka thënë se Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka”  do të  krijojë kuadro të përgatitur për tregun e punës respektivisht kuadro për arsim, ekonomi, administrate si dhe fushat e tjera përmes te cilave Kosova por edhe rajoni do të rrisë aftësitë konkurruese në  nivelin arsimor dhe aspektet e tjera.