Universiteti “Kadri Zeka” me një ceremoni solemne ka shënuar 7 vjetorin e themelimit

Mars 10, 2020

Pas intonimit të himneve, atij të Kosovës, Kombëtar dhe himnit të Universitetit të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti Rektori Bajram Kosumi.

 

Rektori Bajram Kosumi pasi ka uruar të gjithë për 7 vjetorin e themelimit, ka thënë se ekzistenca e Universitetit “Kadri Zeka’ është vlerë dhe dera më e mirë e komunikimit nëpër botë. Ai po ashtu ka thene se qyteteti nuk mund të jetë metropol pa pasur një Universitet, dhe se qytetet Universitare krijojnë lidhje mes njëri – tjetrit dhe krijojnë lidhjen globale si vlerë shoqërore.

Ndërsa duke folur për  të arriturat e Universitetit Publik “Kadri Zeka”,  zhvillimin si dhe për aktivitetet një vjeçare, që nga përvjetori i 6-të e deri më tani, në fjalën e tij Rektori Kosumi  i ka theksuar dy ngjarje si më të rëndësishme të vitit 2019, themelimin e Fakultetit të Shkencave Aplikative, respektivisht programi studimor Matematikë Arsimore si dhe projektin QUADIK, ku për herë të parë UKZ ka fituar projektin më të madh deri më tani e që është i pari si Koordinator në programin e Komisionit Evropian Erasmus + “ Ngritja e Kapaciteteve të Zyrave për bashkëpunim Ndërkombëtar, zhvillimi i cilësisë  dhe menaxhimin e projekteve”, me 18 partnere, vendorë, rajonal dhe evropian.

Rektori ndër tjerash ka folur edhe për mandatin e ri të organeve udhëheqëse të universitetit, për  Ceremoninë e III-të të Diplomimit  të Studentëve, ku deri tani numri i të diplomuarve është 982. Në fjalën e tij Rektori po ashtu ka përmendur edhe procesin e akreditimit, duke treguar për aplikimin e programeve të reja të studimit për fakultetet. Gjithashtu Rektori ka folur edhe për mobilitetin dhe aktivitetet e studentëve, vizitat studimore, projektet vendore e ndërkombëtare, marrëveshjet e bashkëpunimit, punëtoritë, konferencat, anëtarësimet në organizatat studimore, vizitat brenda dhe jashtë UKZ-së, etj..

Në fjalën e tij, Rektori Bajram Kosumi ka ftuar të gjithë, për punë të përbashkët në zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit,  Lutfi Haziri në fjalën e tij, ka uruar për përvjetorin e 7 të UKZ-së, duke thënë se me themelimin e këtij Universiteti Gjilani ka marrë emrin Qytet Universitar. Ai ka thënë se Komuna mbështet të gjitha projektet e Universitetit, derisa ka njoftuar se tashmë kampusi i UKZ-së është duke marrë formë, falë bashkëpunimit që Komuna ka me Universitetin. Kryetari Haziri ka thënë se me Universitetin “Kadri Zeka” duhet të jemi krenar të gjithë dhe duhet ta ndihmojmë në rritjen dhe zhvillimin e tij.

Ndërsa në fjalën tij  Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati  ka thënë se është kënaqësi të jesh pjesë e shënimit të 7 vjetorit të themelimit të UKZ-së.  Ai ka shtuar se Universiteti ‘Kadri Zeka” edhe pse i ri, ka arritur të ketë potencial të madh për të shërbyer në edukimin e studentëve, gjë për të cilën duhet të mburremi të gjithë.

 

Kurse në fjalën e saj Kryetarja e Parlamentit të Studentëve,  Elite Bardhi, ka thënë se jam e lumtur që sot gjendem këtu në shënimin e 7 vjetorit të Universitetit tonë të përbashkët, të këtij Universiteti që edhe ne studentët punuam dhe i dhamë jetë. Rrugëtimi dhe sfidat e deritanishme ka thënë Elita,  po kuptimësohen me arritjen e gjeneratave paraprake. Universiteti nuk do të kishte jetë pa studentët, andaj marrëveshjet me Ersamus Plus dhe projektet të BE-së duhet jetësuar sa më shumë me mobilitet edhe të studentëve, sepse këto përvoja e ndërkombëtarizojnë edhe më shumë UKZ-në.

Më pas Qëndresa Isufi, Studente e Fakultetit të Edukimit ka interpretuar këngën “O vendi Im”

Në vazhdim Rektori Bajram Kosumi i ka dhënë  diplomën “Student i Dalluar” për nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet.

Në Fakultetin e Edukimit diplomën studente e dalluar e ka marrë Elitë Bardhi, Adelina Ajeti ka marrë diplomën studente e dalluar në Fakultetin Juridik, në Fakultetin Ekonomik  Arbana Haliti ka marrë diplomën studente e dalluar, kurse  në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike diplomën studente e dalluar e ka marrë Albionë Leci.

Ajet Sallahu baba i katër fëmijëve të cilët kanë studiuar në UKZ, në fjalën e tij ka falënderuar të gjithë stafin akademik për punën e shkëlqyer në edukimin e  fëmijëve të tij për dije, derisa ka thëne se ndihet krenar  që falë studimeve në Universitetin “Kadri Zeka”,  dy fëmijë kanë vazhduar studimet në master, njëri është bursistë ndërsa një tjetër ka gjetur punë në një nga shkollat në komunën e Vitisë.

Po ashtu Rektori Bajram Kosumi pas propozimeve të Këshillave të Fakulteteve, ka ndarë mirënjohje për kontribut akademik për vitin 2019 për profesorët e Universitetit “Kadri Zeka”. Në  Fakultetin e Edukimit mirënjohje ka marrë profesori  Ahmet Ibrahimi, në  Fakultetin Juridik  ka marrë mirënjohje Prof. Ass. Dr. Fejzulla Hasani, në Fakultetin Ekonomik Prof. Ass. Dr. Refik Kryeziu dhe në Fakultetin e  Shkencave Kompjuterike mirënjohje ka marrë Prof.Ass. Dr. Lindita Nebiu.

Kurse mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin e punës dhe administratës së Universitetit, Rektori Bajram Kosumi, i ka dhënë  zyrtarit të  IT-së, Administrator i bazës së të dhënave VALON SYLA.

Më pas para të pranishmëve Greta Azizi, ka interpretuar këngën ”Arbëreshe”

Po ashtu Rektori  ka ndarë mirënjohje edhe për Kryetarin e Komunës së Vitisë  Sokol Haliti dhe për Kryetarin  e Komunës së Kamenicës Qëndron kastrati, për bashkëpunim të shkëlqyer të Komunës me Universitetin.

Ndërsa për ndihmën në  zhvillimin e Universitetit në bashkëpunim ndërkombëtar, në emër të Rektorit Bajram Kosumi, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka u ka dhënë  mirënjohje  Sergjio Tragudas, Përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, në emër të Ambasadores  Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosove,  për mbështetjen e BE-së përmes “Programit Erasmus +” në zhvillimin e Universiteti Publik “Kadri Zeka” ,  Boris Sharlloëski Menaxher i Programit GIZ në Kosovë,  për mbështetjen në zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, përmes programit “Zhvillimi i Kapaciteteve në sektorin e arsimit bazë në Kosovë”, dhe Aqim Emurli, Drejtues i ekipit HERAS  për  mbështetjen që WUS Austri ka dhënë përmes projekteve HERAS, në zhvillimin e  Universiteti Publik “Kadri Zeka”

Rektori  Bajram Kosumi gjithashtu mirënjohje u ka ndarë XHELAL SELIMI, Kryetar i Bordit Industrial të Universitetit njëherësh Drejtor i Kompanisë CALABRIA, Fejzulla Mustafa drejtor i Kompanisë FLUIDI dhe Enver Vokshi  drejtor i Kompanisë Energy Design, për zhvillimin e marrëdhënieve Universitet-biznes.

Në  këtë organizim kanë marrë pjesë  Kryetarë të Komunave,   Rektorë të Universiteteve, Deputetë te Kuvendit të Republikës se Kosovës,  Parlamenti Studentor,  mysafirë e pjesëmarrës të jetës politike, arsimore e shkencore, përfaqësues të Policisë, FSK-së, KFORIT, udhëheqës  të  institucioneve rajonale,  profesorë, studentë, punonjës të Universitetit “Kadri Zeka”  përfaqësues të bizneseve dhe OJQ-ve, dhe  pjesëmarrës të tjerë.

Ndërsa studentët e Fakultetit te Edukimit programi parashkollor kanë përgatitur ushqime  tradicionale, në mbështetje në ndihmë për  fëmijëve me nevoja të veçanta.