Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar 8 vjetorin e themelimit

Mars 8, 2021

Fillimisht janë intonuar himnet, i  Kosovës, Kombëtar dhe himni i Universitetit nga kori i Universitetit.

 

Me pas të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti Rektori Bajram Kosumi.

Rektori Kosumi pasi ka uruar të gjithë për 8 vjetorin e themelimit, ka shpalosur të arriturat e Universitetit, bashkëpunimet e realizuara deri më tani, si dhe planet që kanë për qëllim rritjen e cilësisë në mësim. Rektori në fjalën e tij ka thënë se viti 2020, sa do i rënd  që ishte për shkak te Covid 19, për UKZ ishte viti me i suksesshëm universitar.

Ai aktivitetet një vjeçare, që nga përvjetori i 7-të e deri më tani, i ka renditur që nga krijimi i sistemit të sigurimit të cilësisë, procesi i akreditimit, miratimi i Statutit të UKZ-së në Kuvendin e Kosovës, mësimi online si pasoj e Covid 19, si dhe rritjen e bashkëpunimit me alumni dhe me hisedarët e jashtëm

Rektori Bajram Kosumi ka falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë rreth zhvillimit të Universitetit, dhe njëkohësisht i ka ftuar të vazhdojnë me punën e përbashkët në zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit.

Më pas studentja e fakultetit të Edukimit Kaltrina Haziri ka interpretuar këngën: “ Këngët e vendit tim” .

Në vazhdim Rektori Bajram Kosumi i ka dhënë  diplomën “Student i Dalluar” për nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet.

Në Fakultetin e Edukimit diplomën studente e dalluar e ka marrë Arigoneta Shabija, Besarta Sejdiu ka marrë diplomën studente e dalluar në Fakultetin Juridik, në Fakultetin Ekonomik  Kudret Ibrahimi ka marrë diplomën student i dalluar, kurse  në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike diplomën studente e dalluar e ka marrë Vlera Bllaca.

Në emër të studentëve të dalluar ka folur studentja Besarta Sejdiu. Ajo ka thënë se gjatë këtij cikli të studimeve ka qenë përpjeke e saj e vazhdueshme që studimet t’i ketë në plan të parë. Sipas Besartës është puna e vazhdueshme ajo që realizon gjithçka, andaj ndihet e lumtur qe në UKZ me vullnet dhe punë ka përvetësuar konceptet kryesore të drejtësisë në mënyrën më të mirë.

Në vazhdimin e programit për shënimin e 8 vejtorit të themelimit të UKZ-së, studentet e Fakultetit të Edukimit, Kaltrina Haziri dhe  Vesa Sahiti së bashku me Korin e Universitetit të udhëhequr nga profesoresha Drita Kryeziu, kanë interpretuar këngën:  “Festa e mësuesit”.

Rektori Bajram Kosumi pas propozimeve të Këshillave të Fakulteteve, ka ndarë mirënjohje për kontribut akademik për vitin 2020 për profesorët e Universitetit “Kadri Zeka”. Në  Fakultetin e Edukimit mirënjohje ka marrë Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili, në  Fakultetin Juridik  ka marrë mirënjohje Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, në Fakultetin e  Shkencave Kompjuterike mirënjohje ka marrë Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe në Fakultetin e Shkencave Aplikative Prof. Ass. Dr. Shpresa Qamili.

Kurse për kontributin e dhënë në zhvillimin e punës dhe administratës së Universitetit, Rektori Bajram Kosumi, i ka dhënë mirënjohje  zyrtares për marrëdhënie me jashtë Luljete Berisha.

Po ashtu Rektori  ka dhënë mirënjohje për kontributin e dhënë në  zhvillimin e Universitetit VALENTINA BUNJAKU, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, RAMIZ AZIZI, Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan dhe ZAHIR DODA Drejtor i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në Kaçanik. Mirënjohet i ka ndarë Kryesuesi i Këshillit Drejtues Ibrahim Kosumi.

Ndërsa për bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Universitetin Rektori Kosumi ka ndarë mirënjohje për studentët alumni, LIZË REXHEPI dhe  ARMEND AHMETI.

Gjatë organizimit të 8 vjetorit të themelimit të Universitetit “Kadri Zeka”, studenti i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Valonis Ramadani në udhëheqjen e Dekanit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka prezantuar projektin inplementues “Sistemi Elektronik për Evidentimin e Studentëve”.

Fjalimi i studentes Besarta Sejdiu