Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan mbylli konkursin për pranimin e studentëve të rinj për studimet BA dhe MA

30 Shtator, 2020

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 1000 aplikantë për tu regjistruar në studimet themelore BAÇELOR dhe në studimet pasdiplomike – MASTER, deri sot,  kur edhe është mbyllur konkursi. Në bazë të statistikave,  fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike  do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka”  do të regjistroj 100  studentë të rregullt, për programet  E-Qeverisja, program ky  i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit  Juridik dhe  Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka”  dhe  programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se  procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik.  “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Prorektori Thaqi.

Provimi pranues për studimet BAÇELOR do të mbahet të premten, më datë 02.10.2020 për Fakultetin Juridik, Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative. Kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik provimi pranues do të mbahet të shtunën më 03.10.2020.

Koha e saktë e mbajtjes së provimit, lista e kandidatëve dhe numri i sallave do të publikohen në ueb faqe të Universitetit të enjten më 01.10.2020.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën datë 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 8 tetor 2020 duke filluar nga ora 10.00.

 

 

 

Më 9 tetor 2020 publikohen rezultatet përfundimtare.

Regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet në administratën dhe fotografimi në zyrat e TI sipas këtij orari:

 Fakulteti i Edukimit, më datë 12.10.2020 prej orës 9.00 deri në orën 16.00;

 Fakulteti Ekonomik, dhe i Shkencave Aplikative më datë 13.10.2020 prej orës 9.00 deri në orën 16.00

 Fakulteti Juridik, dhe i Shkencave Kompjuterike më datë 14.10.2020 prej orës 9.00 deri në orën 16.00.

Jashtë këtij afati kandidatët e pranuar nuk do të mund të regjistrohen, prandaj luteni që t’i përmbaheni afatit të lartshënuar.

Kurse për studimet MASTER, Provimi pranues do të mbahet të shtunën më datë 03.10.2020.

Detajet lidhur me kohën e mbajtjes së provimit pranues do të shpallen në ueb faqen e universitetit të premten më datë 02.10.2020.

Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më të martën më 06.10.2020  në ueb-faqen e universitetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë shërbimit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 08.10.2020 duke filluar nga ora 10.00.

Rezultatet përfundimtare pas ankesave do të publikohen më 09.10.2020.

Regjistrimi i studentëve të pranuar do të do të bëhet më 16.10.2020 në zyrën e TI-së.

Jashtë këtij afati kandidatët e pranuar nuk do të mund të regjistrohen, prandaj luteni që t’i përmbaheni afatit të lartshënuar.