Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan mbylli konkursin për pranimin e studentëve të rinj

18 Korrik, 2016

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 1700 maturantë deri në ditën kur edhe është mbyllur konkursi. Në bazë të statistikave, në të gjitha fakultetet interesimi është mjaft i madh, por fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimit gjegjësisht programi fillor. Universiteti “Kadri Zeka”, në vitin e parë të studimeve,  për vitin akademik 2016-2017, do të regjistrojë 1504 studentë, në kuadër të këtij numri do të përfshihen edhe studentët e Luginës së Preshevës dhe ata të komunitetit pakicë.

Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se  procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik.  “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Prorektorja Shpresë Qamili.

Ndërkohë, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan më 21. 07.2016 do të mbahet provimi pranuese, ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në web faqen e universitetit uni-gjilan.net më datë 19-20.07.2016,  kurse deri më 26 korrik 2016 shpallen rezultatet. Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, mbrenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve.