Universiteti Politeknik i Tiranës i jep titullin Doktor Honoris Causa Akademik Fejzullah Krasniqit

28 Tetor, 2015

Akademik Fejzullah Krasniqi, profesor ordinar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës ,,Hasan Prishtina’’ dhe kryetar i Këshillit Drejtues në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është nderuar me titullin Doktor Honoris Causa me motivacionin: ‘’Për kontribut të shquar në rritjen e nivelit të punës mësimore dhe shkencore të përgatitjes së inxhinierëve të rinj në trojet mbarë shqiptare’’ nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Akademik Krasniqit iu dorëzua Diploma ‘’Doctor Honoris Causa’’ nga rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, akademik Jorgaq Kaçani ndërsa Medalja ‘’Doctor Honoris Causa’’ iu dorëzua nga Znj. Nora Malaj, zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit.
Ceremonia filloi me ekzekutimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe Himnit të Flamurit dhe vijoi me leximin e oponencave nga rektori i UPT akademik Jorgaq Kaçani dhe Prof.dr. Andonaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UPT. Oponencat kan nxjerrur në pah kontributin e shquar shkencor dhe arsimor të akademik Krasniqit duke nënvizuar se kjo është hera e parë që Universiteti Politeknik i Tiranës e nderon dikën nga Kosova dhe trojet shqiptare me titullin më të lartë që jep universiteti Doktor Honoris Causa.
Ndërsa në fjalën e tij, akademik Fejzullah Krasniqi, është shprehur se titulli i ndarë nga Universiteti Politeknik i Tiranës është një ndjenjë e papërshkrueshme e që për të sjell kënaqësinë më të madhe, krahasuar me çdo çmim tjetër nga cilido universitet tjetër i botës. ‘’Në këtë ditë, për mua më të gëzuar të jetës time, lutem shumë për shëndetin e mirë të profesorëve të mi, të gjithë stafit akademik dhe studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës, të cilin përherë e kam pasur përzemër, me urimet që ky universitet me lehtësi të arrijë të gjitha objektivat përkatësisht majat më të larta të të arriturave tekniko-shkencore në funksion të përparimit të Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë pos tjerash akademik Krasniqi.
Në ceremoninë e dhënies së titullit Doktor Honoris Causa akademikut Fejzullah Krasniqi, përveq anëtarëve të Senatit akademik, ishin të pranishëm personalitete të ndryshme shqiptare si Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës Hajredin Kuçi, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Ministri i Arsimit të Maqedonisë Abdilaqim Ademi, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë znj. Nora Malaj , Bajram Kosumi ish Kryeministër i Kosovës, tani Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, anëtari i KD të UKZ, Arben Dërmaku dhe anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Pas ceremonisë në Rektoratin e UPT ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë znj. Lindita Nikolla e uroj akademik Krasniqin për titullin dhe pati një takim miqësor me personalitetet e pranishme në ceremoni.

2 3