Urimi i Rektorit Bajram Kosumi për fillimin e vitit të ri akademik

3 Tetor, 2016

Studentë të dashur, profesorë, asistentë dhe zyrtarë tjerë të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, me rastin e fillimit të vitit akademik 2016/2017, uroj të keni një fillim të mbarë të procesit mësimor.

Studentëve të rinj u dëshiroj shumë suksese në fillimin e studimeve akademike, sepse kjo paraqet kthesën e madhe në jetën e tyre, për të siguruar një të ardhme më të lumtur, për ta, familjet e tyre dhe vendin tonë, në hapjen e rrugës drejt integrimeve,  si të gjithë popujt dhe vendet e botës së qytetëruar.

Të dashur studentë, në momentin kur keni vendosur të studioni në këtë Universitet, duhet të jeni të bindur se e ardhmja juaj do të jetë më e lumtur. Me sukseset që do të arrini gjatë studimeve, do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës në të ardhmen. Konkurrenca në këtë universitete është globale, ju nuk do t’i konkurroni vetëm studentëve të Universitetit të Prishtinës, por do t’i konkurroni miliona studentëve në tregun evropian.

Juve studentë, ju ftoj që të shkëlqeni në këtë Universitet, në mënyrë që  në të ardhmen të krijoni vendin e juaj në tregun rajonal dhe atë evropian, kjo arrihet vetëm duke dalë si student i dalluar në mësim.

Falë angazhimit të të gjithëve, Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, sot filloi vitin e ri akademik 2016/2017

Le të vazhdojmë që përmes arritjeve tona cilësore të kontribuojmë në rritjen e cilësisë  në mësim-dhënie dhe në mësim-nxënie.

Suksesi i juaj student të dashur, është krenaria jonë, një edukim i mirë i hap dyert kudo në botë.

 

Shëndet, urime dhe shumë suksese!