Universiteti ”Kadri Zeka” prezenton aktivitetet në kuadër të projektit Erasmnus Mundus GreenTechWB, në Podgoricë

Maj 10, 2018

 

Gjatë dy ditëve (më 7 dhe 8 maj 2018), në Universitetin e Malit të Zi në Podgoricë dhe Donja Goricë, u mbajt Konferenca Përmbyllëse e projektit Erasmus Mundus GreenTechWb.

Universiteti ”Kadri Zeka” në Gjilan, ka zhvilluar një varg të aktiviteteve në partneritet të plotë me Koordinatorin e projektit – Universidad de Vigo (Spanjë).  Gjatë ditës së parë u prezantuan rezultatet e punës 4 vjeçare të projektit, duke theksuar të gjithë hapat e ndërmarrë gjatë procesit të realizimit të aktiviteteve, sfidat gjatë implementimit të objektivave të projektit dhe rezultatet e arritura. Një raportim i hollësishëm u bë nga Koordinatorja e Projektit prof. Dr. Ana Fernandez Vilas e cila në hollësi raportoi për të gjitha fazat e realizimit të aktiviteteve të parapara në kuadër të Projektit GreenTechWB.

Në vazhdim u prezantua një ekspoze për historikun 10 vjeçar të Erasmus Mundus Action2 – Funding Oportunities under Erasmus+ nga zyrtari i projekteve të EACEA z. Emanuel Gerth. Po ashtu u prezantuan raportet e universiteteve  partnere në këtë projekt duke theksuar Impaktin  e GreenTechWB tek përfituesit e projektit. Raportimi për përfituesit e Universitetit ”Kadri Zeka” u bë nga prof.asoc.dr. Xhevdet Thaqi në cilësinë e Koordinatorit lokal të projektit. Në këtë raportim, përveç aspektit statistikor i cili përfshinë mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik të UKZ në Universitetet Evropiane (Universiteti i Padebornit në Gjermani, Universiteti i Ljublanës në Slloveni, Universiteti i Splitit në Kroaci, Universiteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Sofje të Bullgarisë, Universiteti i Katovicës në Poloni dhe Universiteti i Leonit në Spanjë)  u theksua edhe impakti akademik dhe shkencor i mobiliteti nga Universiteti i Leonit në Universitetin ”Kadri Zeka” në zhvillimin akademik të programeve studimore. Po ashtu u theksuan edhe vështirësitë të cilat i kishin studentët dhe stafi akademik i UKZ për të realizuar mobilitetin me Universitetet e Spanjës për arsye të mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga Spanja.

Në ditën e dytë të Takimit u prezantua aspekti i Sigurimit të cilësisë për të cilën raportoi znj. Cristina Otero Perez (nga Universiteti i Leonit) e cila njoftoi mbi raportet e procesit të njohjeve të ECTS kredive të fituara nga universitet në të cilat janë realizuar moblitetet, etj.

Në fund, po ashtu u theksua qëndrueshmëria e mobiliteteve të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet universiteteve të ndryshme e sidomos ndërmjet Universiteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Universiteteve Evropiane. Po ashtu, bashkëpunimi ndërmjet këtyre Universiteteve po hap rrugë për bashkëpunim edhe në Projektet tjera në kuadër të Programit Erasmus+ edhe në të ardhmen.