Vazhdon të jetë i hapur konkursi për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka”

25 Shtator, 2020

Që nga dita kur ka filluar aplikimi i maturantëve për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” për vitin akademik 2020/2021, vërehet interesim mjaft i madh në të gjitha Fakultetet, por më i preferuar është Fakulteti i Edukimit dhe ai i Shkencave Kompjuterike.

Flutura Jusufi kishte ardhur nga  Lugina e Preshevës për të aplikuar në Fakultetin e Edukimit programi parafillor. Ajo thotë se është munduar që përzgjedhjen e profesionit, të cilin edhe e dëshiron, ta bëjnë në bazë të kërkesave edhe në tregun e punës.

“Kam vendosur të studiojë në profesionin që e dua, Edukim parafillor, dhe dëshirojë  të pranohem, sepse me këtë drejtim shumë shpejt mund  edhe të punësohem”, thotë Flutura.

Të njëjtin mendim me Fluturen e ka edhe   Berar Hasani, qe ka aplikuar ne Fakultetin Fakultetin e Shkencave Aplikative  programi Matematikë Arsimore,  dhe Ensar Ramadani i cili ka aplikuar për të studiuar në Fakultetin e Edukimit Programi Fillor në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ata thonë se është e vështirë të parashihet me saktësi se cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në tregun e Kosovës, megjithatë, sipas tyre, ata kanë zgjedhur profesionin e preferuar dhe që mendojnë se janë më të mirë për të studiuar.

Kurse Adonis Kryeziu ka aplikuar për tu regjistruar në Fakultetin Juridik. Ai thotë se si jurist, nëse në të ardhmen arrin të diplomojë e edhe të punësohet, për të do të ishte shumë mirë, sepse siç thotë ai, do të jepja edhe unë kontributin në shtetin tim.

Lirim Bunjaku thotë se kanë zgjedhur të vazhdojë studimet në Fakultetin Ekonomik për shkak se Kosova ka nevojë për ekonomistë të mirë.

“Në drejtimin ekonomi, Banka Financa dhe Kontabilitet aplikova, sepse Kosova ka nevojë për ekonomistë më të mirë“, u shpreh Lirimi.

Nga ana tjetër, Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, thotë se  Universiteti “Kadri Zeka” është përgatitur për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojnë studimet.

“Jemi të përkushtuar që ky proces të rrjedh në mënyrën më të mirë të duhur në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe do t’u japim mundësinë të gjithë atyre që meritojnë në kuadër të parametrave numerik që Universiteti ka shpallur për këtë vit akademik”, ka thënë Prorektori Thaqi.

Ndryshe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike  do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka”  do të regjistroj 100  studentë të rregullt, për programet  E-Qeverisja, program ky  i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit  Juridik dhe  Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka”  dhe  programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Paraqitja e dokumenteve si për nivelin Baçelor po ashtu edhe Master zgjatë deri më 30.09.2020.