Vazhdon të jetë i hapur konkursi për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka”

Korrik 11, 2019

Që nga dita kur ka filluar aplikimi i maturantëve për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” për vitin akademik 2019/2020, vërehet interesim mjaft i madh në të gjitha Fakultetet, por më i preferuar është Fakulteti i Edukimit dhe ai i Shkencave Kompjuterike.

Jusufe Selimi kishte ardhur nga  Lugina e Preshevës për të aplikuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Ajo thotë se është munduar që përzgjedhjen e profesionit, të cilin edhe e dëshiron, ta bëjnë në bazë të kërkesave edhe në tregun e punës.

“Kam vendosur të studiojë në profesionin që e dua, Shkencat Kompjuterike, dhe dëshirojë  të pranohem, sepse me këtë drejtim shumë shpejt mund  edhe të punësohem”, thotë Jusufe Selimi.

Të njëjtin mendim me Jusufen e ka edhe   Dardan Halili dhe Endrit Maliqi nga Gjilani, të cilët po ashtu kishin zgjedhur që të aplikojnë për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Është e vështirë të parashihet me saktësi se cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në tregun e Kosovës, thotë Blerina Kryeziu dhe Endrit Kqiku. Megjithatë, ata thonë se kanë zgjedhur profesionin e preferuar Juridikun për të studiuar.

“Si jurist, nëse në të ardhmen më mundësohet nga autoritetet kompetente që të punësohen, do të ishte shumë mirë, do të jepja edhe unë kontributin në shtetin tim”, thotë Endriti.

Rinor Haziri nga Vitia dhe   Almedina Mehmeti nga Kamenica, thonë se kanë zgjedhur të vazhdojë studimet në Fakultetin Ekonomik për shkak se Kosova ka nevojë për ekonomistë të mirë.

“Në drejtimin ekonomi, Banka Financa dhe Kontabilitet aplikova, sepse Kosova ka nevojë për ekonomistë më të mirë“, u shpreh Almedina.

Kurse Shqiponjë Sinani nga Gjilani dhe Egzon Nrecaj nga Ferizaj thonë se kanë vendosur që të studiojnë fushën e edukimit, përkatësisht programit parashkollor dhe fillor, pasi që sipas tyre ky  profesion është shumë i mirë, sidomos kur edukon breza të rinj.

Nga ana tjetër,Vaxhid Sadriu, Sekretar i përgjithshëm në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, thotë se  Universiteti “Kadri Zeka” është përgatitur për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojnë studimet.

“Jemi të përkushtuar që ky proces të rrjedh në mënyrën më të mirë të duhur në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe do t’u japim mundësinë të gjithë atyre që meritojnë në kuadër të parametrave numerik që Universiteti ka shpallur për këtë vit akademik”, ka thënë Sekretari Sadriu.

Ndryshe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhment dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, do të regjistrojë 925 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Paraqitja e dokumenteve zgjatë deri më 15.7.2019, kurse provimi pranues do të mbahet më  18.7.2019.