Vazhdon vizita studimore e studentëve nga Universiteti i PH ZUG në UKZ

13 Tetor, 2021

Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit ZUG të Zvicrës të cilët po qëndrojnë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan për një vizitë studimore, së bashku me disa studentë të UKZ-së, kanë vizituar Komunën e Gjilanit ku janë pritur nga Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Kryetari Haziri i ka informuar ata për historikun e Gjilanit, traditat, bashkëjetesën mes komuniteteve, sistemin politik, dhe për sfidat e prioritetet që ka Gjilani dhe Kosova në përgjithësi.

Kreu i Gjilanit i është përgjigjur interesimeve të studentëve të pranishëm nga UKZ dhe PH ZUG, derisa i ka falënderuar për vizitën, duke thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë që studentët e Gjilanit dhe të Zvicrës do të kenë mundësi të mirë për të shkëmbyer përvoja mes vete.

Ndërkohë po sot në Universitet është organizuar punëtori me temë “Situata me Pandeminë Covid 19 dhe ndikimi i teknologjisë në jetën tonë” mbajtur nga Prof. Ass. Dr. Lindita Nebiu dhe Prof. Ass. Dr. Kastriot Dermaku. Gjatë kësaj punëtorie konkretisht është diskutuar rreth  ndikimit të teknologjisë para dhe gjatë pandemisë si dhe sfidat të cilat na kanë përcjellë të gjithëve gjatë kësaj kohe.

Gjatë ditës së djeshme studentët nën udhëheqjen e Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe zyrtarëve të zyrës për marrëdhënie me jashtë Luljete Berisha dhe Betim Berisha, kanë patur diskutim për tema të ndryshme të cilat janë ngritur nga vetë ata, gjatë takimeve të mëparshme online mes studentëve të ZUG dhe atyre të UKZ-së, si nevojë e krahasimit dhe avancimit të sistemit arsimor në institucionet e arsimit të lartë.

Po ashtu gjatë ditës së djeshme studentët kanë vizituar njërën nga shkollat fillore në Gjilan “Musa Zajmi”, për të parë konkretisht se si zhvillohet procesi mësimor. Ata janë pritur nga drejtori Ramadan Dërmaku i cili ju ka dëshiruar mirëseardhje studentëve zviceran, derisa i ka njoftuar për funksionimin dhe në përgjithësi për aktivitetet e shkollës që ai drejton.