Zëvendëskryeministrin i Kosovës Ramiz Kelmendi ka qëndruar në Universitetin “Kadri Zeka”

27 Mars, 2017

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Bajram Kosumi me bashkëpunëtorë,  ka pritur në një takim, zëvendëskryeministrin e Kosovës Ramiz Kelmendi dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me të cilët ka biseduar rreth çështjeve të ndryshme e sidomos  çështjen e pronave, me theks të veçantë faktin se Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka nevojë për të zgjidhur çështjen e kampusit të Universitetit, i cili po ashtu lidhet me çështjen e pronës.

Rektori, Bajram Kosumi, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Kelmendi dhe kryetarin Haziri me punën që po bëhet në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj.

Ai ka thënë se puna më e mirë që është bërë për Gjilan është hapja e këtij Universiteti, për arsye se kjo ndikon direkt në ngritjen ekonomike të Komunës. Ne në Universitet kemi studentë të shkëlqyeshëm të cilët sot lirisht mund të jenë konkurrentë me studentë të shteteve tjera në rajon dhe më gjerë, ka thënë Rektori Kosumi , por ka shtuar se, si kërkesë kryesore kemi çështjen e Kampusit të Universitetit. Në këtë drejtim ai kërkoi përkrahjen e Qeverisë  duke thënë se ndërtimi i Kampusit është i domosdoshëm për studentët tanë dhe gjithë shoqërinë.

Pas këtij takimi, zëvendëskryeministri i Kosovës Ramiz Kelmendi, ka mbajtur  ligjëratë para stafit akademik dhe studentëve  në kuadër të programit “Guest Speaker”  me temën “Rrugëtimi i suksesshëm i  një biznesmeni, motivim për studentët”.

Ai i ka inkurajuar të rinjtë që të merren me biznes, duke theksuar se biznesi nuk është tabu që nuk mund të përfitohet. Zëvendëskryeministri Kelmendi, po ashtu ka ftuar studentët që të marrin pjesë në Fondin për Garantimin e Kredive, sidomos ata studentë që kanë afinitet të afaristit.

Në fund të ligjëratës pati interesime të ndryshme edhe nga të pranishmit, të cilave iu përgjigj zëvendëskryeministri i Kosovës Ramiz Kelmendi.

DSC_0300DSC_0350DSC_0354