Zyra e BE-së dhe Ministria e Integrimit japin 45 bursa për studime post-diplomike

24 Janar, 2018

Përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, kanë qëndruar në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, për ti njoftuar studentët  për hapjen e konkursit për raundin e 11-të të aplikimit për Skemën e Celulës së të Rinjve, programi i BE-së për bursa post-diplomike për Kosovë, program i cili aktualisht është duke u implementuar nga British Council.

Ata janë pritur nga Prorektorja për çështje akademike Shpresë Qamili dhe Sekretari i Përgjithshëm Vaxhid Sadriu. Prorektorja Qamili u ka dëshiruar suksese përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, në implementimin e programit, të cilin e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm dhe në interes të studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”.

Ndryshe aplikimi për bursa do të jetë i hapur nga 15 janari deri më 5 shkurt 2018. Kandidatëve të suksesshëm do t’iu ofrohet mundësia të aplikojnë për Programe Master në universitete të shteteve anëtare të BE-së.

Sipas zyrtarëve,  programi i bursave, gjuha e punës e së cilit është vetëm gjuha angleze, do të ofrojë deri në 45 bursa të plota. 10% e këtyre bursave do të jetë e rezervuar për shërbyesit civil që janë të punësuar në administratën publike (numri real i bursave të ofruara mund të ndryshoj varësisht nga përshtatshmëria e kandidatëve dhe fondet në dispozicion).

Kjo ftesë do të jetë e hapur për studentët e diplomuar në fakultetet si: juridik, shkenca politike, menaxhment i biznesit, shkenca shoqërore, histori, shkenca humane, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, kriminologji dhe fusha të tjera akademike (siç është specifikuar në Rregullat e Procedurës që do të publikohen më 15 janar 2018) në përputhje me sektorët e specializimit në vijim: Juridik, Administratë Publike, Ekonomik.