Rektor

00381280390112

bajram.kosumi@uni-gjilan.net

Mashkull

Kati I -Rektorat

Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi

Bajram Kosumi u lind më 20 mars 1960 në Tygjec (Kamenicë). Në vitet 2005-2006 shërbeu si Kryeministër i Kosovës. Është politikan, shkrimtar, publicist, edukator. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në Koretin dhe në Kamenicë, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mori titullin Doktor i Shkencave Filologjike (2008). Si student zgjidhet kryetar i një grupi ilegal politik, i cili angazhohej për lirinë e Kosovës (1979) dhe u bë një nga organizatorët kryesor të demonstratave të studentëve në vitin 1981, për çka gjykata jugosllave e dënoi me 15 vjet burg. Në burg është njëri prej autorëve të letrës së gjatë “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, dërguar institucioneve jugosllave, e cila u botua si libër në Zvicër (1986), e në të cilën mbrohet e drejta e Kosovës për statusin e republikës. Në fund të vitit 1990, pas një amnistie të përgjithshme, lirohet nga burgu. Pas burgut punoi si publicist, redaktor dhe kolumnist i revistës “Zëri” dhe i gazetave të tjera shqiptare. Bashkë me katër poetë botoi antologjinë me poezi nga burgu, Libri i Lirisë (1992), e para e këtij lloji në letërsinë shqipe. Në zgjedhjet e para shumëpartiake zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës nga Kamenica (1992). Nga viti 1994 e tutje luan rol të rëndësishëm në politikën e Kosovës: zgjidhet kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, PPK, (1994-2000, me ndërprerje); është anëtar i Delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë dhe të Parisit (1999); në luftën e Kosovë, gjatë bombardimeve të NATO-s në caqet serbe, vepron në Zonën e Llapit dhe në atë të Karadakut; emërohet Ministër i Informimit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999); pas luftës është bashkëthemelues i koalicionit, më vonë partisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nënkryetar i saj (2000-2010); në zgjedhjet e para demokratike zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit (2001-2004); zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës edhe në dy legjislatura (2004-2007 dhe 2007-2010); zgjidhet Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës (2004); në vitin 2005 zgjidhet kryeministër i Kosovës, detyrë të cilën e kreu deri në mars të vitit 2006; është nënshkrues i Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës (17 shkurt 2008).

Bajram Kosumi ka shkruar qindra shkrime publicistike e shkencore, si dhe një numër të madh të librave në fushë të politikës, letërsisë, të medieve e të gazetarisë dhe të kulturës.

Në fushën e publicistikës politike dallohen librat:

  • Koncept për subpolitikën (2005), në të cilin trajton devijimet politike në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës;
  • Koncept për mendimin e ri politik (2001), në të cilin trajton krijimin e një mendimi të ri politik në Kosovë;
  • Një vit vendimtar (2006), në të cilin trajton përgatitjen e Kosovës për pavarësim; versioni e-book, http://www.librariaelektronike.com.

Ndërsa në fushë të letërsisë dallohen këta libra:

  • Libri i Lirisë (1991, bashkautor);
  • Fjalor i Barbarëve (2000, 2008), poezi;
  • Lirika e Fishtës (2004), monografi;
  • Letra nga burgu / Libri i censuruar (2004);
  • Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe (2006), librin eseistiko-monografik në të cilin e trajton ekzistencën e një korpusi të veçantë të letërsisë së krijuar në burgjet komuniste, si pjesë e letërsisë shqipe;
  • Fishta dhe tradita letrare shqiptare (2012), monografinë, në të cilin trajton marrëdhënien letrare të Fishtës me letërsinë shqipe përpara tij;
  • Fishta dhe letërsia shqipe e traditës, (2013), e-book, http://www.librariaelektronike.com

Në fushë të mediologjisë e të gazetarisë ka botuar librin Tipologji dhe zhanër (2013), në të cilin trajton zhanrin e tekstit, në veçanti të atij gazetar. Në bashkautorësi ka botuar edhe.

Nga viti 2008 B. Kosumi është profesor në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës; shef i Departamentit të Gazetarisë (2013-2015); ka qenë i angazhuar si mësimdhënës në Universitetin Shtetëror të Tetovës (2010-2015); kryeredaktor i revistës kërkimore “Media” (2010 e në vazhdim); anëtar i Këshillit Drejtues të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (2011-2015); anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (2011 e në vazhdim).

 

 

Vendimet e Rektorit

Vendim per mbajtjen e konsultimeve nga personeli akademik

Shkarko

Vendim për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit të Edukimit

Shkarko

Vendim për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit Juridik

Shkarko

Vendim për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit Ekonomik

Shkarko

Vendim për zgjedhjen e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike

Shkarko