Studentët e UKZ-së prezantojnë hulumtimin “Niveli i të bërit konkurrencë në Rajonin e Gjilanit”

Studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë bërë prezantimin e hulumtimit studentor me temë: “Niveli i të bërit konkurrencë në Rajonin e Gjilanit”.

Me këtë rast Prorektori për Finanaca Naim Mustafa, në emër të menaxhmentit të UKZ-së,  ka përgëzuar studentët për punën e bërë dhe ka inkurajuar ata që të vazhdojnë të punojnë në këtë mënyrë sepse sipas tij sukseset asnjëherë nuk do të mungojnë.

Kurse Dekani i Fakultetit Juridik Sadik Haxhiu premtoi se edhe në të ardhmen do e kenë mbështetjen e stafit të Universitetit “Kadri Zeka” për hulumtime të tilla.

Valon Prestreshi, kryetar i autoritetit të konkurrencës elaboroi në përgjithësi mënyrën e funksionimit të autoritetit, ndërkaq profesori i së drejtës së konkurrencës Gani Asllani, paraqiti një koncept bashkëkohor të konkurrencës dhe theksoi se kjo punë e bërë nga studentët nënkupton shumë dhe shërben si parametër për punën në autoritet të konkurrencës, ndërsa asistenti Burim Haliti çmoi lart punën e studentëve, duke thënë se studentët  për aktivitete të tilla duhet të mbështeten vazhdimisht, sepse sipas tij kjo punë e madhe ju shërben shumë atyre, por edhe qytetarëve, autoritetit të konkurrencës dhe në veçanti bizneseve të Gjilanit.

Në këtë hulumtim me temë: “Niveli i të bërit konkurrencë në Rajonin e Gjilanit”  që ka zgjatur rreth dy muaj, kanë marrë pjesë 12 studentë të UKZ-së dhe janë anketuar rreth 60 biznese të Komunës së Gjilanit.

Studentëtë hulumtues: Albesa Shurdhani, Adelina Kqiku, Gresa Islami, Kleodina Demolli, Dafina Asllani, Adile Baliu, Razije Aliu, Kaltrina Ramadani, Diana Dalipi, Granit Musliu, Edojeta Emërllahu dhe Lumturije Haliti të cilët janë mbikëqyrur nga profesori Gani Asllani dhe asistenti Burim Haliti, kanë thënë se pas hulumtimit rezultatet janë mjaft interesante ku është pasqyruar niveli i të bërit konkurrencë ne rajonin e Gjilanit. Sipas tyre rezultatet e hulumtimit do ndikojnë në intensitetin e punës së autoritetit kosovar të konkurrencës.

Në rezultatet e publikuara u pasqyruan disa rekomandime në të cilat përfshiheshin bizneset në rajonin Gjilanit të cilat deklarojnë se shumë pak kanë njohuri për legjislacionin që rregullon sferën e konkurrencës, nuk kanë probleme rreth të bërit biznes, mendojnë se ka monopol në bizneset e Gjilanit, autoriteti i konkurrencës ka intervenuar vetëm në disa raste dhe kërkojnë që të veprohet në shumë në krijimin e kushteve për të bërë konkurrencë të mirëfilltë.