Vizioni

 

Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është krijuar për të qenë në shërbim të dijes, të edukimit dhe të mirëqenies së shoqërisë kosovare dhe të mbarë njerëzimit. Ky është vizioni ynë. Universiteti është mundësia më e mirë për një shoqëri që t’i edukojë dhe t’i bëjë të përgjegjshëm anëtarët e vet për vlerat themelore: për lirinë, parimet e demokracisë, familjen, mirëqenien ekonomike, paqen sociale dhe vlera të tjera humaniste, të cilat qëndrojnë në themel të një shoqërie me vlera të larta. Vetëm duke krijuar vlera të larta shkencore, kulturore, ekonomike e sociale ne e ndihmojmë shoqërinë tonë në ballafaqim me shekullin e teknologjisë informative dhe të globalizmit. Universiteti do të jetë ura lidhëse midis vlerave lokale, vlerave nacionale dhe vlerave globale. Ai është dera më e mirë e Kosovës për në epokën e teknologjisë dixhitale, në të cilën mbarë njerëzimi po jeton si një shoqëri multikulturore. Edhe në kontekstin kosovar, edhe në atë shqiptar, Universiteti është vendi ku bashkohen kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, raca të ndryshme, individë me besime fetare të ndryshme dhe individë me status social të ndryshëm. Universiteti, duke i qëndruar besnik vetë thelbit të fjalës universal, do të nxisë dhe respektojë multikulturalizmin dhe diversitetin. Jeta e ardhme e shoqërisë sonë, dija, shkenca dhe edukimi, familja, ekonomia e ardhme, mirëqenia, demokracia dhe pozita në arenën ndërkombëtare varen nga mënyra se si rrjedhin sot proceset në universitete. Universiteti do të edukojë dhe mësojë studentët e sotëm me përgjegjësitë publike të ardhme. Universiteti e edukon shoqërinë për një jetë në paqe dhe në mirëqenie. Universiteti përgatitë lidershipin e shoqërisë sonë të ardhme.